Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 16:33

ELBASAN- Ambasadori amerikan Arvizu ka kritikuar klasën politike  për procesin e ngadaltë të marrjes së statusit kandidat për në BE.

Arvizu ishte në qytetin e Elbasanit në promovimin e nismës “Vepro tani”. Ai tha se politikanët janë përgjegjësit kryesorë që vendi është i fundit në rajon për integrimin pasi ata nuk po përformojnë aq sa duhet. Sipas tij politikanët shqiptarë merren më shumë me fushatë sesa me zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë qytetarët.

“Më lejoni të them që nuk ka arsye përse Shqipëria nuk duhet të jetë në pararojë të vendeve që duan të bëhen anëtare të Bashkimin Europian dhe kjo nuk është një kritikë për fqinjët, por nuk ka asnjë arsye se përse Shqipëria nuk duhet të jetë përpara atyre, por përkundrazi është e fundit në radhë. Kjo nuk ndodh për shkakun tuaj, por disa rrethanave të caktuara dhe situata dhe sistemit në Shqipëri. A kanë në fakt një farë përgjegjësie drejtuesit politikë për këtë? Sigurisht që po. Por politikanët kudo kanë disa karakteristika të caktuara. Ata përqendrohen shumë në zgjedhje dhe që të zgjidhen, por nuk shpenzojnë kohën mjaftueshëm në qeverisje dhe administrim e vendit. Është një problem që e shohim edhe këtu, por ndryshimi kyç është që në Shtetet e Bashkuara populli amerikan nuk e pranon këtë gjë. Ka shumë njerëz që edhe atje janë shumë pasivë, por ka njerëz që thonë se nëse nuk tregoheni të përgjegjshëm, atëherë herën tjetër në zgjedhje kemi përgatitur një surprizë për ju. Dhe kjo në fakt nuk është thjeshtë për pushtetin politik në përgjithësi. Kjo është një cështje në vetë dhe dicka që nuk më shqetëson shumë. Por ajo për të cilën po flas janë problemet e përditshme si buka dhe djathi, problemet që merren përditë shqiptarët”, tha ambasadori Arvizu.

Njëkohësisht ai ka kritikuar sistemin arsimor, shëndëtësor, mjedisor dhe qeverisës.

“Arsimi. Përse ndodh që tekstet shkollore janë kaq të shtrenjta? Përse prindërit shqiptarë të shqetësohen që të mund të blejnë librat shkollore dhe cili në qeveri po bën dicka për këtë? Shëndetësia. Një nga problemet kyçe është kujdesi shëndetësor parandalues. Cili në qeveri po shtyn në të vërtetë fort për kujdesin parandalues për shëndetin e qytetarëve që edhe kostot të bëhen të ulta? Mjedisi. Të gjithë ndjehemi të turpëruar kur shohim mbeturina kudo. Nuk duhet të jetë kështu. Por cili në qeveri po bën një përpjekje të qendrueshme për këtë? Dhe në fund kemi qeverisjen e mirë. Nuk mund të jap shembuj. Qëllimi im nuk është të kritikoj qeverinë në nivel qendror apo vendor. Për të qenë të sinqertë a duhet të jetë performanca e tyre më e mirë? Duhet të jetë! Kjo është puna juaj që në zgjedhje që të vendosni se kush duhet të qeverisë. Por koncepti ‘Vepro tani’ nuk u përket personave të zgjedhur prej jush. Sigurisht ata kanë rol kritik për të luajtur, por ju duhet të këmbëngulni dhe kërkoni që drejtuesit tuaj t’u përgjigjen nevojave tuaja, që ata të dëgjojne idetë dhe shqetësimet tuaja”, shtoi kryediplomati amerikan.

Nga Elbasani, Arvizu u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e nismës “Vepro Tani”, duke kërkuar  prej tyre ide të reja për mënyrën e zgjidhjes së sfidave që janë mjaft të mprehta në Shqipëri. (LajmeShqip.com)