Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 12:30

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u shpreh sot pas takimit me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, se afati që kanë maxhoranca dhe opozita për të rënë dakord mbi reformën zgjedhore është fundi i muajit prill.

“Diskutuam shumë për procesin e reformave që po zhvillohet. Folëm shumë mbi reformën zgjedhore si edhe për reformën parlamentare. Ka pasur progres, por ka ende diçka që pengon që procesi nuk po lëviz me shpejtësi. Nënvizova që ne e mbështesim plotësisht axhendën e reformave dhe është e rëndësishme për të punuar për reformat si ajo parlamentare, edhe ajo zgjedhore. Por veçanërisht nga perspektiva e SHBA-së është mjaft e rëndësishme puna me reformën zgjedhore. Nevojitet bashkëpunim nga të dyja palët, pasi koha është e pakët dhe brenda prillit është afati i përcaktuar për të dyja palët për të rënë dakord për t’u takuar. Shpresat dhe pritshmëritë tona janë që të dyja palët të takohen brenda këtij afati”, tha Arvizu.

Rreth mandatit të deputetes Rudina Seseri, Arvizu u shpreh se nuk u fol mbi këtë çështje, por theksoi se të dyja palët të gjejnë një zgjidhje sipas ligjit.

“Jam i vetëdijshëm për çështjen e mandatit, por duhet të bisedoj me më shumë njerëz për implikimet dhe për të kuptuar më mirë se çfarë thotë ligji. E kuptoj që kreu i bashkisë së Fushë Krujës është i dyti në listë, e kuptoj që ai ka shprehur gatishmërinë për të mos dhënë dorëheqjen nga posti, por nuk kam një ide të qartë, shpresoj të jetë në përputhje me ligjin. Këto hapësira nuk janë të mira, të dy palët duhet të gjejnë një zgjidhje për t’i mbushur ato sipas ligjit”, shtoi Arvizu.