Lajme Shqip Friday, 20 September 2013 14:18

Tirane- Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u shpreh sot pas një takimi me Kryetarin e Parlamentit, z Ilir Meta se bashkësia ndërkombëtare pret që Parlamenti në Shqipëri të funksionojë në mënyrë normale.

“Është e drejtë që e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare është duke parë drejt parlamentit të këtij vendi që ai të funksionojë në mënyrë më normale. Kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë debate të zjarrta, por është e rëndësishme që këto debate të jenë kontruktive që të çojnë përpara ecjen e vendit. Ndaj mirëpres të bashkëpunojmë dhe të çojmë përpara reformat”, u shpreh Arvizu gjatë një dalje të përbashkët për shtyp me kreun e Parlamentit.

Meta
Ndërsa kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu vullnetin maksimal të tij dhe të mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën për të përmbushur reformat e kërkuara për integrimin.

“E kam siguruar ambasadorin Arvizu për vullnetin maksimal nga ana ime si kryetar i Kuvendit por edhe mazhorancës parlamentare për të garantuar maksimumin e hapësirës demokratike për opozitën për të mbajtur një bashkëpunim solid dhe afatgjatë në respektim të parlamentarizmit, por edhe të reformave të integrimit europian” tha Meta.

Duke iu bashkuar editorialit të publikuar dje nga dy ambasadorët, Meta theksoi se Shqipëria ka kapacitetet për të ecur përpara drejt Bashkimit Europian.

“Unë bashkohem me titullin e editorialit të publikuar dje. Po Shqipëria mundet për të arritur integrimin duke pasur një bashkëpunim më të frytshëm në Parlament dhe në të gjithë jetën politike të vendit dhe vullneti ynë është që opozita të përfshihet në të gjitha reformat esenciale”.

Meta theksoi se shpreson se opozita do të kontribuojë në nismat për integrim.
“Shpresoj që Partia Demokratike të kontribuojë për të pasur më tej kontributet që ka dhënë për në NATO, duke qenë kontruktive dhe duke i qëndruar angazhimeve të saj që do të mbështesë çdo nismë për integrimin” shtoi Meta./BW/