Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 18:40

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në një artikull për ditën botërore të lirisë së shtypit, thotë se gjatë vitit të kaluar “në Shqipëri, panorama ka qenë e përzier. Nga ana pozitive, u pa përparim në miratimin e legjislacionit të rëndësishëm për shpifjen në muajin shkurt. Ky ishte një hap i vërtetë përpara”.

Megjithatë, nga ana tjetër, vijon Arvizu, “Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut vërente një numër fushash që kanë nevojë për përmirësim, duke vënë në dukje: “Media ishte aktive dhe në masë të gjerë e pakufizuar; megjithatë, pati raste presioni politik të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi median, përfshirë kërcënime ndaj gazetarëve. Në disa raste presioni politik dhe mungesa e fondeve kufizuan median e shkruar të pavarur, dhe gazetarët raportuan se kishin ushtruar gjerësisht vetëcensurë”.

“Ambasada e SHBA në Tiranë shpreson që të gjithë aktorët – parlamenti shqiptar, organizatat e medias, si dhe vetë gazetarët – do të ecin përpara me një përpjekje të përbashkët për të kryer ndryshimet e duhura që do të çojnë përpara larmine e medias në Shqipëri. E ardhmja e drejtë e Shqipërisë në Bashkimin Europian varet nga një media e fortë dhe e pavarur”, shprehet Arvizu.

“Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjitha qeverive që të ndëmarrin hapat e nevojshme për të krijuar hapësirë që gazetarët e pavarur të bëjnë punën e tyre pa frikë nga dhuna apo përndjekja. Përshëndesim në veçanti ata gazetarë, blogera dhe qytetarë të guximshëm që kanë sakrifikuar jetën, shëndetin, apo lirinë e tyre me qëllim që të tjerët të mësonin të vërtetën. Po ashtu, nderojmë rolin e medias së lirë dhe të pavarur për të krijuar demokraci të qëndrueshme dhe shoqëri të hapura e të shëndetshme”, përfundoi Arvizu. (LajmeShqip.com)