Lajme Shqip Thursday, 17 April 2014 11:45

Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, ka marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve për gjimnazistët që kanë skicuar posterat më të mirë antikorrupsion. Arvizu tha se, në tre vite që ka jetuar në Shqipëri shqetësuese ka qenë shtrirja e informalitetit në sektorin ekonomik, por dhe mos pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe ujit.

Sipas tij, korrupsioni është një sëmundje që prek gjithë shoqërinë dhe një sfidë të vështirë për t’u kaluar. Ambasadori theksoi se hallka më e dobët në sistemin gjyqësor sot janë gjyqtarët e korruptuar. Ai ka kërkuar që duhet të ndërgjegjësohen të gjithë për të luftuar korrupsionin, se në të kundërt nuk mund të luftohet ky fenomen.  

“Aktualisht ndoshta sfida më e vështirë do të ishte mënyra si lufton korrupsionin dhe informalitetin në të gjithë vendin. Sikurse e kanë dëshmuar këto postera duket qartë sa problematik është ky problem.  E di se e keni dëgjuar shumë herë që korrupsioni dëmton ekonominë, demokracinë, duke vjedhur  punëtorët shqiptarë. Korrupsioni shkatërron besimin mbi qeverinë, vendos persona të pa kualifikuar në poste të rëndësishme, pasuron të pandershmit. Kjo është një formë e gabuar, se nuk jemi në kohën e Ali Pashës. Ju dëshironi të futeni në BE. Të gjithë duhet të mendoni sipas mënyrës moderne. Pasi korrupsioni është një formë e gabuar dhe kjo duhet të shkaktojë të përziera te të gjithë të pranishmit, t’i bëjë të sëmurë kur mendojnë për këtë fenomen”, tha ambasadori i SHBA-ve.

 

Ai gjatë fjalës së tij ka shtruar pyetjen,  “se si mund të ndryshojmë mentalitete e njerëzve që të luftojmë korrupsionin. Është e rëndësishme të mendojmë për qasjen për ta luftuar këtë. Hallka më e dobët në sistemin gjyqësor janë gjykatat, janë gjykatësit e korruptuar. Një mekanizëm i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit janë proceset më transparente që inkurajojnë luftën,”- u shpreh Arvizu.