Lajme Shqip Monday, 23 September 2013 10:25

Tiranë- Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu inkurajon njësitë e përbashkëta hetimore që të hetojnë rastet e korrupsionit pavarësisht trysnisë dhe presioneve që mund të hasin gjatë punës.

Gjatë fjalës së tij në takimin me 7 njësitë speciale të hetimit, ambasadori amerikan thekson rëndësinë që faza e tranzicionit politik të mos shikohet vetëm si sfidë, por edhe si një moment që ofron mundësi të reja.

“Mbështesim njësitë e përbashkëta hetimore pasi besojmë tek një qasje rajonale dhe kombëtare. Diçka që kam mësuar për Shqipërinë është se ajo është si një fshat ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Zyrat hetimore mund të ndjejnë trysni kur hetojnë, por në këto kushte hetimin mund ta bëjë një zyrë tjetër. Kjo është një kohë tranzicioni në Shqipëri, dhe tranzicioni vjen me sfida por dhe mundësi. Ne si ambasade e SHBA e kemi përdorur këtë kohë për të folur me ministrat e rinj, kryeprokurorin, në mënyrë që ta shohim si mundësi për të adresuar të gjitha ndryshimet që të luftohet korrupsioni.” – tha ambasadori Arvizu. /BW/