Lajme Shqip Friday, 18 April 2014 13:09

Kritikat e ardhur ditët e fundit nga ndërkombëtarët në lidhje me korrupsionin dhe rolin e gjyqtarëve, sot ILDKP-ja ka kërkuar që të gjithë zyrtarët e organeve të drejtësisë të depozitojnë pasuritë e tyre në bankë.

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive Shkëlqim Ganaj gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, kërkoi që gjyqtarët të depozitojnë në bankë, pasuritë e tyre.  Sipas tij, shqetësim për momentin përbën mosdeklarimi i makinave nga zyrtarët.  

“Gjyqtari, pasurinë ta depozitojë në bankë. Pasuritë në bankë, të jenë të ligjshme”, tha Ganaj.  Ndër të tjera Ganaj u shpreh se, do ketë kontroll çdo 4 vjet për gjyqtarët e prokurorët dhe çdo 7 vjet për zyrtarët e tjerë.

Ndërsa, dje ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, tha se hallka më e dobët në sistemin gjyqësor në Shqipëri sot janë gjyqtarët e korruptuar. Ai ka kërkuar që duhet të ndërgjegjësohen të gjithë për të luftuar korrupsionin, se në të kundërt nuk mund të luftohet ky fenomen.

Sipas tij, korrupsioni është një sëmundje që prek gjithë shoqërinë dhe një sfidë të vështirë për t’u kaluar. Arvizu tha se, në tre vite që ka jetuar në Shqipëri shqetësuese ka qenë shtrirja e informalitetit në sektorin ekonomik, por dhe mos pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe ujit.

“Aktualisht ndoshta sfida më e vështirë do të ishte mënyra si lufton korrupsionin dhe informalitetin në të gjithë vendin. E di se e keni dëgjuar shumë herë që korrupsioni dëmton ekonominë, demokracinë, duke vjedhur punëtorët shqiptarë. Korrupsioni shkatërron besimin mbi qeverinë, vendos persona të pa kualifikuar në poste të rëndësishme, pasuron të pandershmit. Kjo është një formë e gabuar, se nuk jemi në kohën e Ali Pashës. Ju dëshironi të futeni në BE. Të gjithë duhet të mendoni sipas mënyrës moderne. Pasi korrupsioni është një formë e gabuar dhe kjo duhet të shkaktojë të përziera te të gjithë të pranishmit, t’i bëjë të sëmurë kur mendojnë për këtë fenomen”, tha ambasadori i SHBA-ve.

 

Ai gjatë fjalës së tij ka shtruar pyetjen,  “se si mund të ndryshojmë mentalitete e njerëzve që të luftojmë korrupsionin. Është e rëndësishme të mendojmë për qasjen për ta luftuar këtë. Hallka më e dobët në sistemin gjyqësor janë gjykatat, janë gjykatësit e korruptuar. Një mekanizëm i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit janë proceset më transparente që inkurajojnë luftën,”- u shpreh Arvizu./shekulli/