Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 22:33

Prishtinë – Qeveria e Kosovës dhe Misioni i EULEX-it, “i thyen arrat” para nisjes së operacionit në veri të vendit. Qeveria marshoi drejt veriut, kësaj radhe, me të vërtetë pa “koordinim me …Brukselin”. Ja historia e operacionit të nxehtë, që ftohu marrëdhëniet.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e kishte informuar me kohë EULEX-in për vendimin e Qeverisë së Kosovës për operacionin në veri, për rikthimin nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com brenda EULEX-it.

Por, zyrtarët e EULEX-it nuk ishin pajtuar me këtë vendim, duke i thënë kryeministrit Thaçi se kjo është çështje e EULEX-it dhe se me këtë veprim ai po ndërhynë direkt në kompetencat e këtij misioni.

Zyrtarët e EULEX-it kishin deklaruar se operacioni i Qeverisë së Kosovës në këtë rast do të ishte illegal, ngase është EULEX-i ai që ka kompetenca të rezervuara për polici, drejtësi e dogana, në Repubikën e Kosovës.

Ndërkohë, kreu i qeverisë kosovare i ka kërkuar EULEX-it, konform kompetencave që ka, për ta kryer operacionin dhe për t’i rikthyer nën kontroll kufijtë dhe pjesën veriore të vendit.

Por, EULEX ka refuzuar sërish ta bëjë këtë dhe ka insistuar te kryeministri Thaçi që të mos e implementojë operacionin, sipas tyre, ilegal, për të vendosur rendin, ligjin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës në veri.

Qeveria s’e priti dritën e gjelbër nga EULEX-i, por i hyri vetë marshimit në veri.

I vendosur në dhjetor të vitit 2008 në Kosovë, misioni i EULEX-it i ruan ende kompetencat e rezervuara për polici, drejtësi e dogana. Vetë ky mision ishte i thirrur për të vendosur rend edhe në veri të vendit, por kurrë nuk e bëri këtë, as për 30 muaj të qëndrimit të tij të deritashëm në Kosovë. (LajmeShqip.com)