Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 11:16

Bruksel – Kosova dhe Serbia kanë arritur mbrëmë në Bruksel marrëveshje për energjinë dhe telekomunikacionin, ka njoftuar Zyra e Baroneshës Katherine Ashton. Marrëveshja u arrit pas një takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga Ashton. Arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar edhe kryeministri Thaçi, i cili tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për të dyja vendet. Njoftimi të cilin e ka dhënë Zyra e Përfaqësuese së Lartë, nuk ka dhënë detaje të tjera rreth kësaj marrëveshjeje.

Por kryeministri i Serbisë, Daçiq, ka thënë se Serbia ka arritur maksimumin e asaj që ka kërkuar. Ai ka thënë se Kosova do të mund të marrë një kod treshifror telefonik porse thirrjet nga Kosova në, siç u shpreh ai, “Serbinë qendrore“ do të konsiderohen si thirrje lokale.

Kryeministri i Serbisë tha se sa i përket telekomit Kosova do të mund të kërkojë në përdorim të përkohshëm një kod telefonik ndërkombëtar treshifror, por shtoi se “për jetësimin e kësaj do të kalojnë disa vjet”. Daçiqi po ashtu tha se “operatorët mobilë të Serbisë do të mund të vazhdojnë të operojnë në territorin e Kosovës sikur edhe deri më tash derisa të mos shpallet një tender për operator mobil në Kosovë, që nuk do të ndodhë para vitit 2015“.

Ndërkaq zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se nga takimi i mbrëmshëm në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, është rishikuar progresi i arritur dhe janë ndërmarrë vendime të rëndësishme për ”të siguruar zgjedhje të drejta me pjesëmarrje sa më të madhe në këtë proces zgjedhor”.

Në njoftim thuhet më tej se gjatë takimit është arritur pajtimi që Grupet Punuese për zgjedhjet, të udhëhequra nga OSBE-ja, të takohen gjatë ditëve në vijim, që vendimet e marra të implementohen me kohë.