Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 15:36

TIRANË –  Zëdhënësja e Policisë së Shtetit bëri të ditur se personi i vënë në pranga është Gjergj Nikola Tusha, alias Gjok Ndue Tusha, 48 vjeç, i kërkuar nga drejtësia italiane për konsumimin e veprave penale të “rrëmbim personi”, “shfrytëzim prostitucioni” dhe “kryerje e marrëdhenieve seksuale me dhune”. Gjithashtu, bëhet e ditur se është arrestuar edhe oficeri i Policisë Gjyqësore Aleksandër Kolmarku, i cili, sipas hetimeve të kryera, rezulton të ketë ndihmuar Tushën t’i fshihet drejtësisë italiane.

Operacioni policor “Konfirmimi i rremë” u zhvillua me sukses të plotë nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin kundër Krimit të Organizuar e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me njësinë e përbashkët hetimore Task Forcë pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, në  kuadër të zbatimit të një letërporosie të autoriteteve policore italiane për shtetasin Gjergj Nikola Tushaj.

Bazuar në materialet e grumbulluara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë në kuadër të këtij hetimi, nga Gjykata e Shkallës së parë në Tiranë ndaj këtyre shtetasve është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Mësohet se operacioni për arrestimin e tyre është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit rreth orës 12.30 të ditës së sotme njëkohësisht në qytetet e Tiranës dhe të Lezhës, ndërkohë që materialet proçeduriale në ngarkim të tyre do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë nën akuzën e kryerjes së veprave penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”, e kryer në bashkëpunim. (LajmeShqip.com)