Lajme Shqip Thursday, 03 April 2014 11:58

Sot me urdhër të prokurorit vendor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka arrestuar 10 zyrtarë nga Sektori i ndërtimit i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, prej tyre, shefin e sektorit, një zyrtar për ekzekutim, dhe 8 inspektorë për ndërtim, si dhe pronarin e një kompanie private të ndërtimit, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

Për dhjetë zyrtarët e arrestuar nga Komuna e Prishtinës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë kryer veprën penale, Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, për të arrestuarin e njëmbëdhjetë, (pronari i një kompanie private), ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer veprën penale Falsifikim i dokumenteve nga neni 398, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
 
Prokurori i rastit, për të pandehurit, ka urdhëruar ndalimin policor në kohëzgjatje prej 48 orësh.
 
Arrestimi i sotëm është rezultat i hetimit paraprak, që është zhvilluar nga shtatori i vitit 2013, lidhur me ndërtimin e objekteve pa leje ndërtimore, në Komunën e Prishtinës. Gjatë kësaj kohe janë siguruar prova të rëndësishme për dyshimin e bazuar se personat e arrestuar kanë kryer veprat penale të lartcekura.