Lajme Shqip Thursday, 13 December 2012 13:36

Prishtinë – Sot në mëngjes janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për krim të organizuar dhe janë bastisur tetë lokacione në një operacion të kryer nga një ekip i përbashkët i Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës.

Operacionin e ka autorizuar një gjyqtar i procedurës paraprake të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prizren, bën të ditur misioni evropian për sundimin e ligjit.

Sipas njoftimit, arrestimet pasojnë dy operacione të mëhershme nga ekipi i përbashkët hetues në Kosovë, në dhjetor 2011 dhe në prill 2012, në të cilat janë paraburgosur anëtarët e tjerë të supozuar të grupit të njëjtë kriminal.

Operacioni po ashtu përkon me arrestimin e dyzetepesë anëtarëve të tjerë të dyshuar të grupit kriminal, i cili ka ndodhur dje në rajonin e Ballkanit, thuhet në njoftimin e EULEX-it.(REL/LajmeShqip.com)