Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 10:00

Tiranë-Arrestimi i 44 vjecarit Viktor Gushi shihet me skepticizëm nga opozita. Aleatët e Partisë Socialiste gjatë një debati televiziv hodhën dyshime mbi videon prej 10 minutash me rrëfimin e Gushit pak minuta pas arrestimit.

“Ky nuk është vrasësi real. Një miku im në polici, më tha që duket e inskenuar. Sa për videon është injorancë, ska asgjë profesionale. I ndaluari nuk pyetet nga policët, por personat kopetentë. Këta nuk po na nxjerrin arsyet pse po na rritet kriminaliteti me rritje galopante dhe na sajojnë video të tilla për të humbur gjurmët”, tha politikani Spartak Ngjela.

Për kreun e PSD, policia e kapi kriminalin pa dashje. “Video ku policët qeshin me një vrasës. Policia mendoj e kapi pa dashje njeriun”, tha ai.

 “Tendenca është që për të mbuluar rritjen e krimit, nxirret kjo ngjarje që ka një farë suksesi. Për të mbuluar kurbën e rritjes së krimit, Berisha dhe ministri i brendshëm reagojnë. Aty mund të ketë rastësi, tek imazhet por mendoj se aty ndodhet shkaku kryesor për pak mëdyshje. Por, unë them që krimi po dominon policinë dhe jo e kundërta”-ka thënë ndërkohë Petro Koçi.

Ndërsa deputeti Ndre Legisi tha se video nuk u shfaq rastësisht. “Është përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga situate reale. Pushtetet kur nisin të kalben përdorin dhe forma të tilla”-u shpreh ai.