Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 09:49

Prishtinë-NATO deklaron se hetimi për arrestimin e dy policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe u takon autoriteteve të Kosovës dhe EULEX-it. Trupat e NATO’s në Kosovë thonë se ata nuk janë në vijë të parë të hetimit të rastit të së shtunës, kur dy pjesëtarë të Policisë Kufitare u morën nga forcat serbe.

Siç raporton Koha Ditore, Dan Harway, shef i zyrës për media në KFOR’, thotë se hetimi dhe sqarimi i këtij incidenti më shumë është çështje e autoriteteve të Kosovës dhe misionit të EULEX’it.

“Hetimi nuk është çështje e KFOR’it. Pse nuk e pyesni ministrin tuaj (Bajram Rexhepin v.j) i cili e ka thënë këtë”, thotë Harway për Express. Sipas tij, KFOR-i nuk ka thënë asnjëherë se do të hetojë këtë çështje, ngase ata besojnë s kjo është përgjegjësi e EULEX’it dhe vetë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Ju duhet ta sqaroni këtë me ministrin tuaj të Punëve të Brendshme dhe EULEX’in”, thotë Harëay i cili vë në dyshim edhe diçka tjetër. Rastin e arrestimit të policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe, të cilin Ministri Bajram Rexhepi e cilësoi si rrëmbim, del se KFOR-i e shikon nga një kënd tjetër.

“Në lidhje me këtë që thoni ju ne e shikojmë nga një perspektivë tjetër”, thotë zyrtari i KFOR-it në Prishtinë, i cili megjithatë sqaron se tash për tash është herët të flitet për detaje të rastit.

Në fakt, arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e atyre të Serbisë si rrëmbim nuk e shikon as Brukseli zyrtar. Maja Kocijançiç, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, në një konferencë për media të hënën në Bruksel ka deklaruar se arrestimet e policëve nuk mund të konsiderohen si rrëmbim.

Ndërkohë, Nicolas Hawton, një nga zëdhënësit e EULEX’it, ka thënë për radion “Evropa e Lirë” se pas lirimit të dy policëve kosovarë, ata janë transportuar me një veturë të misionit nga Prokupla për në territorin e Kosovës. Hawton tha se hetimet për rrethanat e arrestimit do të vazhdojnë, por përjashtoi mundësinë që raporti final të jetë publik, duke mos dhënë ndonjë afat kohor se kur kjo mund të përfundojë.

“Rrethanat e arrestimit të tyre janë duke u hetuar. Pjesëtarët e Policisë dhe të KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes ku thuhet se është bërë arrestimi. Pra, ka nisur mbledhja e të dhënave për hetimin e këtij rasti. Gjasat janë të ulëta që ky raport të jetë publik. Ky do të jetë një hetim, të cilin e bëjnë policët e prokurorët, ndërsa nuk ka ndonjë afat kohor se sa kohë do të marrë ky hetim”, u shpreh Hawton për të shtuar se lirimi i policëve kosovarë është bërë pas ndërhyrjes së misionit EULEX.

Ndërkaq Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës vlerëson angazhimin dhe përpjekjet e mekanizmave ndërkombëtarë, në veçanti EULEX-in, për lirimin e zyrtarëve policorë të kidnapuar nga ana e xhandarmërisë serbe. “MPB edhe njëherë shpreh bindjen se zyrtarët policorë të kidnapuar tinëzisht nga ana e xhandarmërisë serbe kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar.