Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 19:32

Prishtinë – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) është thellësisht i brengosur dhe i zhgënjyer me veprimin e fundit të misionit të EULEX-it që ndërlidhet me arrestimin e deputetit Fatmir Limaj dhe tre të akuzuarve të tjerë për rastin “Kleçka”. Ky grup parlamentar, në bashkëpunim me gupet e tjera parlamentare, do të ndërmarr iniciativën për të rishikuar mandatin e misioni të EULEX-it në Parlamentin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se mënyra se si EULEX-i është duke u marr me këtë rast, është mënyra më e turpshme dhe degraduese që mund të bëhet ndaj të akuzuarve, por mbi të gjitha ndaj institucioneve legjitime të Kosovës.

Grupi Parlamentar i PDK-së beson në drejtësi dhe në pavarësinë e gjyqësorit, mirëpo, sipas Grabovcit, drejtësia nuk guxon të keqpërdoret në këtë formë me qëllim të diskreditimit të luftës tonë çlirimtare për liri dhe me tendencë të barazimit të viktimës me xhelatin.

Për situatën e fundit të krijuar në vend, ku Gjykata Supreme jep një muaj paraburgim për deputetin Limaj dhe të tjerët, ky grup parlamentar kërkon rishikimin e mandatin ekzekutiv të këtij misioni.

“Si rezultat i një qasje të tillë, krejtësisht të gabuar dhe të padrejtë të EULEX-it, Grupi Parlamentar i PDK-së do të bashkëpunoj ngushtë me grupet tjera parlamentare në Parlamentin e Kosovës dhe do të ndërmarr një iniciativë për të rishikuar mandatin ekzekutiv të misionit të EULEX-it në Parlamentin e Kosovës. Ne si deputet i kemi dhënë mandat ekzekutiv këtij misioni të EULEX-it për të ndihmuar vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë në mënyrë të drejtë dhe për të gjithë, mirëpo nuk i kemi dhënë mandat ekzekutiv që fyej, poshtëroj dhe degradoj dinjitetin tonë njerëzor dhe institucional”, ka theksuar Grabovci.

Madje, ai ka thënë se veprimet e tilla të EULEX-it po rrezikojnë procesin si tërësi dhe konsiderohen të pa drejta dhe janë tërësisht të papranueshme.

I pyetur nga gazetarët se a është i përfshirë edhe Hashim Thaçi në arrestimin e Limajt, Grabovci ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se kryetari i PDK-së e ka përjetuar rëndë këtë gjë.

“Unë do të komentoj shumë shkurt. Njerëzit e ligj vërtetë mund të mendojnë gjëra kaq të liga në këtë moment. Në mënyrë absolute nëse është i goditur dikush me këtë rast përveç familjes Limaj askush nuk është më i goditur dhe askush tjetër nuk e ka përjetuar më rëndë sesa vet Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së dhe kryeministri i vendit”, ka theksuar ai.

Më datë 24 nëntor në një seancë të mbajtur në orët e mbrëmjes, Gjykata Supreme ka vendosur 30 ditë paraburgim për deputetin Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqin, Naser Shalën dhe Naser Krasniqi.(LajmeShqip.com)