Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 16:30

Tiranë – Arratisja e Ilir Kumbaros në Londër mban peng edhe zhvillimin e procesit gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-SHIK-save, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia Remzi Hoxha ka dështuar, pasi Gjykata e Krimeve te Rënda është në pritje të letërporosisë së dërguar autoriteteve të drejtësise në Londër për dëshminë ose ekstradimin e Kumbaros.

Ne fakt procesi në Tiranë zvarritet prej disa javësh pasi edhe më parë nuk ishte bërë e mundur të merrej dëshmia e Ilir Kumbaros, i cili pretendonte se ishte shtetasi kosovar Shaqa Shatri. Tashmë me arratisjen e Kumbaros, kanë mbetur pezull si procesi i ekstradimit të tij nga Gjykata e Londrës, ashtu edhe procesi për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në Tiranë.

Sakaq, Gjykata e Krimeve të Rënda është në pritje edhe të një letërporosie dërguar autoriteteve të drejtësisë në Maqedoni, ku i kërkohet gjykatës së Shkupit që të dërgojë në Tiranë vendimin që e ka shpallur biznesmenin Remzi Hoxha të vdekur.