Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 10:39

Mitrovicë – Ka ikur në Greqi krimineli i kërkuar i veriut të Kosovës, Zvonko Veselinoviq, bëjnë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com. Kapo-banda i arratisur i krimit të organizuar, është i dyshuari kryesor për djegien e pikave kufitare G1 dhe G31 në veri, në trazirat e vitit 2007.

Ai është i akuzuar edhe për disa vrasje në Serbi dhe dy herë janë lëshuar fletarreste për të, por të cilat më pas janë tërhequr po me urdhër të organeve serbe të rendit dhe të sigurisë.

Krimineli Zvonko Veselinoviq është, gjithashtu, anëtar i Agjencisë Serbe të Intelegjencës (SIA) dhe paguhet rregullisht nga ajo.

Ai ka fituar tender në Minierën e Trepçës për bartjen me kilogramë të mbetjeve të xeheve të minierës, të cilat i ka transportuar në Tivat, e më pas në drejtim të Kinës.

Në kuadër të aktiviteteve të tij të jashtëligjshme dhe kriminale, Zvonko Veselinoviq, në emër të fajdesë ua ka marrë dy serbëve të Rashkës, Mile Gjuraskoviqit dhe Gago Turqiqit, 40 kamionë të ndryshëm transportues të specializuar për bartje të rërës, xeheve dhe lëndëve të tjera të ngjajshme.

Zvonko Veselinoviq ka qenë i kërkuar për implikime të shkallës së lartë në krimin në veri dhe në zhvillimet e fundit, pas 25 korrikut në pikat kufitare G1 dhe G31. Bëhet e ditur se ai është arratisur me ndihmën e organeve serbe të rendit të të sigurisë.