Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 18:03

Për shkak të gjestit të policit të Serbisë, shqiptarit nga Presheva, Rexhep Arifi, i cili mbante në duar një fëmijë sirianë nga turma refugjatësh të shumtë që kanë vërshuar këtë pjesë, e gjithë bota po flet mirë për këtë shtet.

Kështu e kanë komentuar mediat serbe fotografinë e publikuar në BBC, e që u bë ndër më të diskutuarat në Botë.

Polica dhe ushtria serbe, asnjëherë nuk është shquar për humanizëm, përkundrazi, gjatë luftërave të fundit në Ballkan ka dëshmuar agresivitet, etje për vrasje, gjenocid e masakra.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe ndaj popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës gjatë konfliktit të vitit 2000.

Dhe, për një moment, nga imazhi i keq i krijuar ndër vite, del një shqiptar nga Presheva – “armik i serbëve” (shqiptarët në shumë sondazhe paraqiten si armiqtë kryesorë të serbëve) – pjesëtar i kësaj policie dhe e paraqet këtë polici si më “humanen në botë”, në kohën kur kolegët nga vendet përreth, përfshi edhe të disa vendeve të BE-së (Hungari) po tregojnë sjellje të këqia ndaj refugjatëve sirianë.

Ndërkohë, mediat serbe në shumicën e rasteve, mundohet që identitetin dhe përkatësinë etnike të këtij polici ta lënë në rend të dytë, duke i dhënë prioritet vetëm policisë serbe, ndërsa për mediat ndërkombëtare, ky fakt ka pak rëndësi. /lajmi.net/