Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 11:00

Tiranë – “Partia Socialiste nuk duhet të drejtohet nga një kryetar me dy mandate”, u shpreh të premten deputeti dhe anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj, gjatë një takimi në Durrës, në kuadër të prezantimit të platformës së tij për demokratizimin e jetës së partive politike dhe konkretisht të PS-së.
Në takimin me anëtarë të FRESSH dhe simpatizantë të selisë rozë në Durrës, Malaj deklaroi se modernizimi i partive politike është një parakusht për të ardhmen tonë. I njohur për qëndrimet e tij të ndryshme nga ato të kryetarit të PS-së, Edi Rama, në prezantimin e kësaj platforme Malaj u ndal sidomos tek situata e fundit politike brenda PS-së, duke ripërsëritur qëndrimin se bojkoti i parlamentit është rruga e gabuar e ndjekur nga socialistët.
“Misioni i opozitës është të ndalë keqqeverisjen e vendit me një aktivitet të qartë parlamentar dhe pse jo në rastet kur është e domosdoshme të organizojë dhe protesta paqësore, por duke ndërgjegjësuar gjithnjë e më shumë të gjithë qytetarët për kostot e keqqeverisjes së vendit dhe të jetë mbështetëse publike në parlament dhe në protesta, për atë që vetë qytetarët ndjejnë në përkeqësimin e gjendjes së tyre të përditshme”, u shpreh Malaj.
Gjatë prezantimit të platformës së tij në Durrës, deputeti socialist tha se kriza parlamentare e 2009-s është pasuar dhe në 2011, ndaj duhet të ndërmerren hapa konkrete.
Sipas Malajt, partitë politike mbeten akoma mundësia më e mirë për të kontribuar në modernizimin e vendit, si dhe mundësia më e mirë për t’ju kthyer mirënjohjen të gjithë atyre që të besojnë.
Duke u ndalur tek mungesa e një modeli në organizimin dhe funksionimin e brendshëm të partive politike, Malaj sugjeroi heqjen e barrierave për hapjen e tyre, duke shmangur pushtetin e përqendruar dhe pushtetet individuale të tejzgjatura, përtej kufijve të lejuar.
Sipas tij, për të modernizuar partinë duhet të hiqen praktikat e vjetra si dhe duhet punuar për harmonizim sa më të mirë brenda strukturave, pasi mosrespektimi i vlerave ka sjellë dëmtimin e të majtëve.
Platforma e re politike, e iniciuar nga deputeti socialist, Arben Malaj, do të prezantohet në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet një turi takimesh.