Lajme Shqip Saturday, 15 August 2015 14:14

Këshilli i Apelit i Gjykatës së Mitrovicës e ka hedhur poshtë vendimin për vazhdimin e paraburgimit për liderin e Iniciativës Qytetare (SDP), Oliver Ivanoviqit deri më 6 tetor dhe e ka fuqizuar vendimin e vjetër, sipas të cilit arresti i Ivanoviqit përfundon më 26 gusht

Kështu njofton agjencia beogradase “Tanjug”, duke iu referuar bashkëshortes së Ivanoviqit, Meilena Ivanoviq-Popoviq.

 “Gjykata e hodhi poshtë vendimin për vazhdimin e paraburgimit deri më 6 tetor dhe e ktheu në fuqi vendimin sipas të cilit Oliverit paraburgimi i përfundon më 26 gusht. Ata do ta rishqyrtojnë arrestin para 26 gushtit”, ka thënë Ivanoviq-Popoviq, transmeton kp.

Informatën e ka konfirmuar edhe avokati i Ivanoviqit, Nebojsha Vlajiq, duke sqaruar se masa e arrestit nuk është hequr, porse ai përfundon më 26 gusht, sipas vendimit të mëparshëm.

“Më së voni deri në këtë datë gjykata duhet të vendosë se a do t’ia vazhdojë paraburgimin”, u ka thënë Vlajiq gazetarëve në veri të Mitrovicës.

Ivanoviqi, i cili pas tetë ditëve grevë urie dje u shtrua në spital, akuzohet se në vitet 1999-2000 ka kryer krime lufte kundër popullatës shqiptare dhe ka urdhëruar vrasjen e më shumë shqiptarëve në Mitrovicë. Ai u arrestua më 27 janar të vitit të kaluar