Lajme Shqip Friday, 12 July 2013 11:13

Tiranë -Dy oficerët e përjashtuar katër ditë më parë nga Policia e Shtetit me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Hysni Burgaj, me motivacionin për sjellje të pahijshme e shkelje të etikës, kanë reaguar përmes një letre publike.

Komisarët Pjerin Voci dhe Julian Malaj sqarojnë se personi me pantallona të shkurtra dhe shapka që i ka fyer në ambientet e Policisë së Tiranës ditën e shoqërimit, është Rigert Burgaj.

Ky person, i cili prej një viti është pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit si punonjës i patrullës së përgjithshme, është djali i Hysni Burgajt, drejtorit të Policisë së Shtetit.

Në letër, komisarët i kërkojnë Burgajt që të sqarojë lidhjet me Rigert Burgajn, kontributin e tij në shoqërimin e një jave më parë, si dhe lidhjet e këtij të fundit me 3 punonjësit e patrullës që kryen shoqërimin, shkruan tema.

Dy të përjashtuarit janë shprehur se nga verifikimet që kanë kryer nuk ekziston asnjë ankesë, telefonatë apo ankim ndaj tyre ditën që ka ndodhur ngjarja dhe theksojnë se ndalimi i tyre ka motive familjare.