Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 18:51

Tiranë (PLOTESUAR 20:00) Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar lidhur me mënyrën e votimit të anëtarit të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Kuvend, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Gjatë një konference për mediat, Rama akuzoi kryeministrin Sali Berisha për manipulim të procesit të votimit. “Sot, Saliu u fut me kokë në rolin e Ristanit, për të imponuar një standard të panjohur dhe të papranueshëm parlamentar, duke e kthyer votimin nga një proces kushtetues, mbështetur në rregullore, në praktikën parlamentare, në një proces që është shprehje flagrante e shkeljes së Kushtetutës, të rregullores së Parlamentit dhe praktikës parlamentare”, tha Rama.

Ndërkohë edhe kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në një prononcim për mediat pas seancës plenare ku u votua mes debatesh anëtari i ri i KLD-së, Elvis Çefa, tha se “kishim rënë dakord me kryetaren e Kuvendit për votim të fshehtë.

Por maxhoranca kërkoi që veç vulës, fleta e votimit të kishte edhe firmat e anëtarëve të komisionit që merret me procedurat e votimit. Kështu ata kërkuan që fleta e votimit të firmosej në momentin që tërhiqej nga çdo deputet. Ne nuk mund të lejonim identifikimin e fletëve të votimit. Këtu lindi konflikti dhe u bllokua votimi”.

Ruçi u shpreh se në momentin që pati këtë bllokim, ishte vetë kryeministri Berisha, i cili tentoi të votonte me fletë votimi të firmosur nga anëtarët e komisionit që merret me procedurat e votimit.

“Unë ndërhyra për të mos lejuar këtë mënyrë votimi. Berisha vërtetë ka vjedhur votat e shqiptarëve, por grupi ynë parlamentar nuk mund ta lejonte që të vidhte edhe votat tona në sallën e Kuvendit”, tha Ruçi. Sipas tij, në momentin kur Berisha e pa se nuk mund të vazhdonte të realizonte qëllimin e tij, i dha urdhër kryetares së Parlamentit që të votohej në mënyrë elektronike.

************************

Tiranë-Demokratët mundën të ruajnë një mazhorancë minimale në parlament, 71 vota, për të kaluar gati in extremis kandidaturën e Elis Çefës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Përballë Elis Çefës socialistët kishin propozuar avokatin Ardian Visha, mbrojtës ligjor i Fatmir Mediut në procesin e Gërdecit. Madje avokati Visha kishte deklaruar në mes të Komisionit të Ligjeve se besonte në pafajësinë e klientit të tij, Fatmir Mediu, duke iu kundërvënë kështu hapur qendrimit të socialistëve që e konsiderojnë “Gërdecin” si një krim shtetëror.

Ndaj seanca e të enjtes paraqiste interes të veçantë edhe për të parë lëvizjet e votave. Një séance ku si rrallë ndonjëherë merrnin pjesë të tërë deputetët e Kuvendit, me përjashtim të Rudina Seserit që ka dhënë dorëheqjen. Por, votimi që për emërime të tilla është i fshehtë, shkaktoi debat pikërisht në kohën kur Sekretariati i Votimit po përgatiste kutitë për një votim manual. Duke qenë se seanca në këtë moment ishte e ndërprerë, planet që po ndiqni janë xhiruar në mënyrë amatore me celular nga një deputet i opozitës.

Gjithçka duket gati për të filluar votimin. Por, situata tensionohet pasi mazhoranca kërkon që fletët të firmosen nga Sekretariati i Votimit në momentin kur deputetët do të paraqiten për t’i tërhequr ato. Opozita, duke pasur frikë se fletët do të firmoseshin në mënyra të ndryshme që mund të identifikonin votën e deputetëve të caktuar, kërkoi ose firmosjen e njëhershme të të gjitha fletëve përpara fillimit të votimi, ose vulosjen e tyre.

Kjo nuk pranohet nga mazhoranca dhe situata tensionohet, madje mes vetë kryeministrit Berisha dhe kryetarit të grupit socialist Gramoz Ruçi. Në këto kushte, në mungesë të konsensusit dhe ndërkohë që opozita po protestonte pranë foltores, kryetarja e Kuvendit çeli seancën dhe i hodhi kandidaturat për votim në mënyrë elektronike. Një mënyrë kjo, që teknikisht është e fshehtë, por që socialistët e hodhën poshtë qysh në fillim sepse dyshojnë që kushdo që ka akses në sistemin e votimit elektronik, mund të kontrollojë votën e çdo deputeti.

Ndërkohë, duke përmendur nominalisht disa emra deputetësh, si Kastriot Islami, Ilir Meta, Lefter Koka apo Vangjel Tavo, kryetarja e Kuvendit në mos dekonspiroi votën e tyre, hodhi një hije të fortë dyshimi, pasi në fund kandidati i mazhorancës mori 71 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pra të tërë ata që morën pjesë në votim, votuan për të. Dhe sipas deputetëve të pranishëm në sallë, në votim kanë marrë pjesë edhe ish-deputeti socialist Kastriot Islami edhe deputeti Fatmir Mediu.

Burime të caktuara brenda LSI-së hedhin poshtë pjesmarrjen e Ilir Metës në votim. Por një gjë është e sigurt: mazhoranca pati rrjedhje votash. E mbetur me 73 deputetë pas largimit të Gazmend Oketës, mazhorancës në këtë seancë iu bashkua Kastriot Islami, që e çoi këtë numër në 74. Por kandidatura e demokratëve mori 71 vota, çka do të thotë se 3 deputetë, me shumë gjasë të LSI-së, nuk morën pjesë në votim.

Pas mbarimit të seancës socialistët mblodhën urgjent grupin parlamentar, kurse kryetarja e Kuvendit nga ana e saj nxori një deklaratë që dënoi ashpër atë që ajo e konsideroi “dhunë të organizuar të një grupi deputetësh të opozitës”. Në mbështetje të kësaj, kryetarja Topalli shpërndau disa plane filmike të xhiruara nga kameramani i Kuvendit, ku dëgjohet kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruci të deklarojë se këtu vendosim ne.

Kryetarja Topalli në sqarimin e saj i referohet rregullores së Kuvendit sa i takon procedurës së votimit dhe një praktike votimit të zbatuar në 20 vjet parlamentarizëm. Kjo dhunë e organizuar dhe e qëllimshme, deklaron kryetarja Topalli, është dhunë ndaj parlamentit, parlamentarizmit dhe shtetit ligjor. I zgjedhur në këtë mënyrë si përfaqësues i parlamentit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Elis Çefa do të zëvendësojë Kreshnik Spahiun. (TCH)