Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 14:34

Prishtinë-Vehabizmi është një lëvizje fetare, ose degë e Islamit, e zhvilluar në shekullin e 18-të në Arabinë Saudite nga teologu mysliman, Muhamed in Abd al-Vahab. Njihet si një formë më e rreptë e Islamit që insiston në interpretimin fjalë për fjalë të Kuranit.

Kritikët thonë se kjo ngurtësi e vehabistëve ka çuar në keqinterpretimin dhe shtrembërimin e Islamit, duke drejtuar gishtin kah ekstremistët si Osama bin Laden dhe talibanët.

Sot, në diskursin mediatik, fjala vehabizëm lidhet me lëvizjet ekstremiste, që në rastet më radikale kryejnë sulme terroriste në emër të Allahut, edhe pse studiuesit e kësaj rryme thonë se vetë teoricieni Muhamed in Abd al-Vahab nuk e ka mbështetur dhunën.

Sidoqoftë, a ekziston lëvizja vehabiste në Kosovë?

Dyshime për individë të caktuar që mund ta ndjekin këtë rrymë të Islamit ka, por mungojnë provat, si nga Policia, ashtu edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).

Në Policinë e Kosovës thuhet se vendi nuk është i rrezikuar as nga grupet radikale islame, as nga ndonjë formë e terrorizmit.

Këtë përfundim, zëdhënësi Baki Kelani e jep duke u bazuar në këmbimin e informacioneve me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Kosova nuk është në një mënyrë të drejtpërdrejtë e rrezikuar nga sulmet terroriste, por Kosova nuk mund të jetë imune nga rreziqet që sillen nga sulmet e tilla. Në bazë të disa vlerësimeve, qofshin ato edhe ndërkombëtare, populli i Kosovës nuk llogaritet që është një popull, i cili mund të përfshihet në raste të tilla terroriste. E potencova se nuk paraqitet ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë nga grupet e tilla”, thotë për Radion Evropa e Lirë Baki Kelani.

Në shtetin me më shumë se 90 për qind të popullatës që i përket besimit islam, feja nuk është faktor kryesor në jetën publike dhe këtë e vë në pah edhe një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare në botë.

“Retorika fetare mungon në masë të madhe në diskursin publik të komuniteteve myslimane, ndërsa pjesëmarrja në xhami është e vogël. Por, veshja islamike, edhe pse jo shumë e shpeshtë, ka shënuar rritje”, thuhet në raport.

Në të njëjtin vihen në pah shqetësimet e Bashkësisë Islame të Kosovës për grupet radikale islamike, për të cilat thuhet se po veprojnë nga shtëpitë private dhe “udhëhiqen nga persona që nuk janë të Kosovës”.

Elemente që devijojnë nga Islami tradicional

Vërshimi i organizatave të ndryshme joqeveritare në Kosovën e pasluftës, sipas drejtorit për media dhe veprimtari botuese të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka futur edhe elemente fetare që kanë devijuar nga praktikimi i Islamit tradicional në Kosovë.

“Edhe këtu po përflitet, po përdoret termi vehabist, termi selefist… Është e vërtetë që, sidomos pas luftës, prania e shoqatave të ndryshme nga vende të ndryshme të lindjes dhe të perëndimit në Kosovë ka bërë që të hasim dukuri të reja. Në aspektin islam, kemi diçka të tillë që është e pranishme, siç është praktikimi i namazit – po lidhem konkretisht te namazi, apo te forma e të falurit dhe aty-këtu te dukuria e veshjes, ku hasim njerëz me mjekra të gjata dhe me pantallona të shkurtër. Nuk do të thosha se kemi një tendencë në rritje. Përkundrazi, ndoshta para disa viteve ka qenë shumë më e theksuar sesa tani”, thotë Sadriu.

Njerëz me veshje dhe dukje të tillë, siç i përmend Sadriu, në muajt e kaluar kanë organizuar një sërë protestash në Prishtinë, me kërkesat për ndërtimin e një xhamie të madhe në kryeqytet dhe lejimin e bartjes së shamisë në shkollat fillore dhe të mesme.