Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 13:34

TIRANE – Shtetet e Bashkuara të Amerikës pozicionohen kundër projektit të gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline” (TAP), të cilësuar si prioritar nga Tirana zyrtare, duke mbështetur projektin tjetër konkurrues Nabucco, që shmang territorin shqiptar.

Komiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Senatin amerikan, në raportin me temë “Energjia dhe Siguria, nga Kaspiku në Europë”, të përgatitur në 12 dhjetor 2012, qartëson kategorikisht se projekti “Nabucco West është qartësisht superior ndaj TAP-it për interesat e politikës së jashtme amerikane në rajon”. Në rekomandimin që ky dokument strategjik i bën qeverisë amerikane theksohet se “pa dyshim, TAP ka përparësi, është më pak i kushtueshëm dhe më i shkurtër se Nabucco. Megjithatë SHBA duhet të mbrojnë që Nabucco West të zgjidhet si rrugë e poshtme e Korridorit Jugor, në vend që të lekundet mes opsioneve të disponueshme”.

Në konkluzionet e raportit, ndonëse evidentohet se nga projekti TAP do të përfitojnë shtetet aleate si Shqipëria, Greqia dhe më shumë Italia, nga ana tjetër theksohet se “presionet shtrënguese të energjisë nga Rusia kundër aleatëve në Europën Qendrore dhe Juglindore janë të një magnitude më të madhe”. Ndaj dhe për këtë arsye, Senati i rekomandon qeverisë amerikane që “SHBA t’i detyrojë këto shtete aleate (Shqipëri, Greqi, Itali) të flasin qartë për këtë interes të përbashkët”. Mandej ky dokument strategjik evidenton se mbështetja e projektit Na-bucco West, veç SHBA-së është në interesin politik dhe ekonomik edhe të vendeve anëtare e partnere të NATO-s. “Nabucco West do të avancojë më qartë interesat e politikës së jashtme amerikane për sigurimin direkt të energjisë për ato vende në Europën Qendrore dhe Juglindore në nevojë të madhe të diversifikimit të furnizimit, larg nga furnizimi rus. Në mënyrë të veçantë, Nabucco West do të fusë konkurrencën ndërkombëtare në rajon që do të përmirësojë dhe sjelljen negociatore me Rusinë, do të zvogëlojë ndikimin e ndërprerjeve të mundshme të furnizimeve dhe do të forcojë sovranitetin politik dhe ekonomik të aleatëve dhe partnereve të NATO-s”, – citohet nga raporti i Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Senatin amerikan.

TAP vs NABUCCO
Projektet e gazsjellësit TAP dhe Nabucco janë në garë të hapur me njëra-tjetrën se kush do të mundet të fitojë të drejtën për të trasnportuar gazin nga Azerbajxhani drejt Perëndimit. TAP u përzgjodh nga Shah Deniz në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa Nabucco hyri në lojë në gusht, vetëm pasi paraqiti një projekt të ri me ndryshime rrënjësore teknike. Ndërkaq TAP, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim mes Italisë, Greqisë e Shqipërisë, ka nisur të shtrijë në terren planet për ndërtimin e gazsjellësit, gjë që nuk ka ende me Nabuccon.

Projekti Nabucco është 1200 mijë kilometra i gjatë dhe e kalon gazin nga Azia përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë në Austri e më tej në Evropën Qendrore. Ndërsa projekti TAP, ka një gjatësi prej 800 kilometra. Nga Turqia ai kalon nëpërmjet Greqisë në Shqipëri dhe nga Shqipëria nëpërmjet detit Adriatik në Itali. Pjesa e rrjetit që kalon në Shqipëri është 204 kilometra në linjë tokësore dhe 60 kilometra vijë detare. Procesi i përzgjedhjes së fituesit është ende në zhvillim e sipër dhe fjala e fundit pritet të thuhet nga Shah Deniz në muajt e parë të këtij viti.(LajmeShqip.com)