Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 14:30

Zubin Potok- Tri automjete të EULEX-it, të cilët një grup i serbëve lokalë i kishte bllokuar dje në veri të Kosovës në rrugën për në Zubin Potok, janë kthyer në Jagenjicë, njofton gazeta Blic.

Kjo u bë pasi në vendin e bllokadës erdhi përfaqësuesi i kontigjentit amerikan Xhozef Linç, i cili bisedoi me qytetarët e tubuar aty dhe me pjesëtarët e EULEX-it. Pas kësaj u rivendos qarkullimi në rrugën ndërmjet Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Bllokada e serbëve në vendin Doljani ishte vendosur pak para orës 20, me vënien e automjeteve të tyre për të penguar qarkullimin e xhipave të EULEX-it dhe për të penguar rrugëtimin e tyre drejt arritjes në portën G1 në Jarinjë.

Kjo ishte hera e gjashtë që në disa ditë të fundit grupe të serbëve kufizojnë qarkullimin e lirë të EULEX-it.

Të mërkurë është paraparë të mbahet një takim i ri ndërmjet përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësuesve të serbëve që vendosin dhe qëndrojnë nëpër barrikada. (LajmeShqip.com)