Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 17:04

Tiranë – Ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u takuan me përfaqësues të Komunitetit Mysliman për të kërkuar rishikimin e projektit të ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë pranë Parlamentit, bashkë me të cilën është planifikuar dhe ndërtimi i dy kullave, që do të shërbejnë si qendër tregtare.

‘Ata nuk pranojnë që aty ka ndërtime të tjera biznesi, por thonë që ne kemi të bëjmë vetëm me ndërtimin e një xhamie. Ne mbrojmë hapësirën e fundit publike të gjelbër që është ngritur bashkë me qytetin e Tiranës”, thotë Sazan Guri, ambientalist për Top Channel .

Duke iu drejtuar vendimmarrësve lokalë dhe atyre qendrorë, ambientalistët thonë se kryeqyteti nuk pranon më asnjë metër kub ndërtim ndërsa hedhin idenë e ndërtimin e xhamisë në ambientet pas Pallatit të Kulturës apo bulevardit të ri.

‘Nuk pranojmë asnjë metër kub ndërtim. I bëjmë thirrje Komunitetin Mylsiman dhe të shohë si alternativë ndërtimin e xhamisë prapa Pallatit të Kulturës, ose buleveardi i ri”, tha Guri.

Përmes një peticioni drejtuar krerëve të institucioneve më të rëndësishme të vendit, 23 përfaqësues të shoqërisë civile, pedagogë e studentë kërkojnë anulimin e lejes zhvillimore të dhënë nga Këshillit Kombëtar i Territorit për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë dhe ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, ndaljen e prerjes së pemëve dhe zaptimin e trotuarëve publikë nga kompania e ndërtimit.