Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 12:00

Korçë- “Shqipëria ka bërë progres dhe ajo nuk do të mbetet jashtë Bashkimit Europian”, tha dje ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Fiona Mcllwham, gjatë një forumi të organizuar në qytetin e Korçës nga Lëvizja Europiane në Shqipëri.

Duke i’u referuar Raportit të Progresit Europian, McIlwham u shpreh se, “krimi i organizuar në veçanti është një problem që prek të dyja vendet tona, ndaj institucionet bashkëpunojnë nga afër për çështje individuale dhe më gjerë për shkaqet e tyre”.

Përsa i përket reformës në drejtësi, ajo nënvizoi nevojën për drejtësinë e paanshme dhe studimin e ligjit, si një e drejtë themelore, për barazinë e kujtdo para ligjit e drejtësisë për institucionet e pavarura, etj.

“Drejtori i Prokurorisë Publike të Britanisë ishte në Tiranë këtë javë. Ai tha disa pika të rëndësishme mbi atë që bashkësia ndërkombëtare kërkon për sundimin e ligjit, mbrojtjen dhe promovimin e integritetit dhe pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe rritjen e profesionalizmit dhe përgjegjësisë”, tha ajo.

Sipas saj, “vetëm kështu do të rritej besimi i publikut për drejtësinë, pa marrë parasysh se kush jemi, kë njohim dhe sa para kemi”.

“Pavarësia dhe efektiviteti i sistemit të drejtësisë duhen për të ruajtur ligjin, luftuar korrupsionin si dhe për mbajtjen e institucioneve të tjera, duke përfshirë Qeverinë dhe Parlamentin, që të japin llogari për veprimet e tyre”, tha ajo.

McIlwham theksoi se “më e rëndësishmja është drejtësia e paanshme dhe sundimi i ligjit, një e drejtë themelore, të cilat të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje ta gëzojnë”. (LajmeShqip.com)