Lajme Shqip Tuesday, 18 June 2013 18:16

Prizren -Ish-ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Christopher Hill nuk ka mundur t’iu besojë syve, kur nga Prishtina për në Malishevë ka udhëtuar nëpër autostradë. “Nuk po mundem të besoj se deri në Malishevë kam udhëtuar nëpër autostradë”, tha Hill.

Hill, i cili gjatë luftës ka qenë ndërmjetësues në Kosovë, të martën ka marrë pjesë në inaugurimin e ujësjellësit në fshatin Banjë të Malishevës. Ai kujtoi kohën e luftës ka qenë në Banjë dhe vendet e tjera. “Këtu kam qenë edhe në kohët e vështira dhe tani është mirë këtu”, tha Hill. Ai tha se ndjehet krenar që pas shumë vitesh është kthyer në Malishevë. “Është nder të kthehem këtu përsëri, pasi i mbaj mend të gjitha të këqijat që kanë ndodhur këtu”, tha Hill. Ai falënderoi popullin e Kosovës për miqësinë që kanë me popullin amerikan, raporton PrizrenPress.

Në fshatin Banjë të Malishevës është bërë inaugurimi i rehabilitimit të ujësjellësit. Inaugurimi i këtij projekti është financuar nga USAID misioni në Kosovë dhe Komuna e Malishevës. Përveç, ish-ambasadorit Hill, pjesëmarrës të ceremonisë së inaugurimit të ujësjellësit ishte edhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj dhe drejtori i ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor”, Besim Baraliu. “Jam krenar që jam anëtar i bordit të IRD-së, pasi ndihmojmë komunitetin në tërë botën”.

Kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, tha se ndihet shumë i gëzuar për disa arsye. “E para, për përurimin e këtij ujësjellësi që furnizon rreth 20 mijë banorë të Malishevës, me ujë cilësor, e dyta se pse këtu gjendet drejtoresha e USAID-së në Kosovë, Maureen Shauket, e cila na ka mbështet jo vetëm në këtë projekt dhe treta, është nder dhe respekt, që sot kemi ish ambasadorin, mikun çmuar Christopher Hill, i cili ka merita të jashtëzakonshme për lirinë e Kosovës” , tha Kilaj

Ndërsa drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, tha se populli i Kosovës, është popull që ka shumë vullnet. “Ky investim është nga taksapaguesit amerikan, por ju duhet ta mirëmbani atë ,dhe për ta mirëmbajtur ju duhet ta paguani shpenzimin e ujit që e bëni, pasi uji nuk është pronë private e askujt”, tha Shauket. Ajo tërhoqi vërejtjen e saj, për problemin e kyçjeve ilegale në sistemin e ujësjellësit.

Nga ky projekt, kanë përfituar Malisheva, dhe disa fshatra të saj, si Banja, Carralluka dhe Lumnishta, duke siguruar ujë për pije për afro 20 mijë banorë. Vlera e këtij projekti është 160 mijë euro, ndërsa komuna ka investuar 90 mijë