Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 16:31

Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim, Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi.

Kryeministri Berisha e siguroi ambasadorin Selimi për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për misionin e tij, për konsolidimin e të gjitha lidhjeve të panumërta vëllazërore midis të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre.

Ambasadori Selimi i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë për kontributin e tij personal dhe të qeverisë shqiptare, në mbështetjen e paçmuar e të pakursyer të shqiptarëve në Kosovë e në veçanti për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës si përsa i përket njohjeve të reja të saj, por edhe në të gjitha fushat.

“Shqiptarët ju janë përherë mirënjohës për atë çka ju keni bërë dhe vazhdoni të bëni për ta në përgjithësi dhe në veçanti për shqiptarët në Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.

Në këtë kontekst, ambasadori Selimi vlerësoi realizimin e rrugës së kombit nga qeveria shqiptare si një nga ngjarjet më madhore, me një kontribut të jashtëzakonshëm për lidhjet vëllazërore midis shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, por edhe që do t’i shërbejë zhvillimit ekonomik jo vetëm të të dy vendeve, por edhe të mbarë rajonit.

Ambasadori Selimi i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit Thaçi e të autoriteteve të Republikës së Kosovës, por edhe të qytetarëve të saj dhe e uroi për jubileun historik të 22 marsit 1992, ditën e fitores së Partisë Demokratike e të demokracisë në Shqipëri.

Në takim u rikonfirmua vendosmëria e të dy vendeve për të intensifikuar e konsoliduar bashkëpunimin midis të dy vendeve në të gjitha fushat dhe për të eliminuar të gjitha barrierat burokratike në shkëmbimet midis dy vendeve, bazuar mbi modelet më të shkëlqyera, të zbatuara tashmë me sukses në Bashkimin Europian, duke u mundësuar qytetarëve të të dy vendeve që t’i çojnë në një stad më të lartë lidhjet si në fushën e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, arsimore e në të gjitha fushat në interes të së mirës së dy vendeve individualisht, por edhe atij kombëtar.

Duke u ndalur tek 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë në takim u rikonfirmua se kjo ngjarje madhore në historinë moderne të shtetit shqiptar, por edhe të kombit, do të festohet këtë vit sëbashku nga të gjithë shqiptarët me dinjitet, si nderimi më i madh që i bëhet përpjekjeve shekullore të kombit për liri e dinjitet, si dhe ngjarjeve e figurave të rëndësishme historike të të gjitha trevave shqiptare, të cilët bënë të mundur krijimin e shtetit modern shqiptar, por edhe ëndrrën e çdo shqiptari për rikthimin në vlerat e lirisë dhe qytetërimit europian.