Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 12:51

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, e cilësoi sot shumë të rëndësishëm rolin e Policisë së Shtetit në zgjedhjet vendore të 8 majit.

Gjatë seancës plenare të Konsorciumit Ndërkombëtar lidhur me sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ku merrnin pjesë Ambasadori i  Delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani dhe kryeprokurorja Ina Rama, Ambasadori Arvizu u ndal veçanërisht në rolin e policisë në këto zgjedhje.

“Pata mundësinë që të takoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, ku i shpreha dhe i konfirmova atij të gjithë besimin që ne kemi tek policia në këtë situatë të vështirë, pas incidenteve që kanë ndodhur”, deklaroi Arvizu.

Gjithashtu ambasadori Arvizu tha se “e sigurova që ne do përkrahim Policinë e Shtetit dhe theksova se është e rëndësishme që policia të sigurojë një mjedis të qetë dhe neutral për zhvillimin e zgjedhjeve”.

Më tej, diplomati amerikan nënvizoi se “pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, është shumë e rëndësishme që të mund të respektohet ky rezultat, në mënyrë që të mund të sigurohet stabiliteti i institucioneve”.

Në përfundim Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, rikonfirmoi mbështetjen dhe angazhimin e SHBA-së për të qënë një partner ndihmues, veçanërisht përsa i  përket çështjes së sistemit gjyqësor në Shqipëri.