Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 12:00

Tiranë – Ambasadori i ri i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani i paraqiti të mërkurën zyrtarisht letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Sipas një njoftimi për shtyp të ambasadës italiane në Tiranë, am

basadori Gaiani, njohës dhe ekspert i çështjeve evropiane, në gjashtë vitet para emërimit aktual, ka shërbyer pranë Departamentit të Politikave Evropiane të Këshillit të Ministrave të Italisë.

Krahas funksionit të Këshilltarit Diplomatik të Ministrit për Politikat Evropiane, ai ka drejtuar gjithashtu dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Departamentit, si dhe bashkërendimin e Sekretarisë së Komitetit Ndërministror për Çështjet Komunitare Evropiane (CIACE).

Gjatë karrierës së tij, ambasadori Gaiani ka punuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Integrimin Evropian të Farnesina-s në cilësinë e Shefit të Divizionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Bashkimit Evropian, përgjegjës për zgjerimin. Ka kryer gjithashtu dhe funksionin e Këshilltarit Juridik të Drejtorit të Përgjithshëm për Burimet Njerëzore pranë Ministrisë së Jashtme.

Jashtë vendit, ambasador Gaiani ka pasur disa funksione pranë Përfaqësisë së Përhershme të Italisë në BE në Bruksel, në vitin 1987. Ndërsa nga viti 1999 deri në 2002-n ka shërbyer pranë Ambasadës së Italisë në Washington në funksionin e Këshilltarit të Parë përgjegjës për çështjet ushtarake e të sigurisë.

Lindur në Adis Abeba (Etiopi) më 1956, është diplomuar në degën e Ekonomisë dhe Tregtisë në vitin 1979 pranë Universitetit të Romës dhe ka hyrë në karrierën diplomatike në vitin 1982.