Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 18:50

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akan Ismaili.    

Presidenca kosovare njoftoi pak më parë se në takim, në të cilin ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, Presidentja Jahjaga foli për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndihmën dhe për përkrahjen që qeveria dhe populli amerikan i ka dhënë dhe po i jep Kosovës dhe e porositi ambasadorin që të punojë me përkushtim që këto marrëdhënie të zhvillohen në interesin e të dy vendeve.

Me këtë rast Presidentja Jahjaga i përcolli urimet më të përzemërta për Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama.

Ambasadori Akan Ismaili merr detyrën si ambasador i përhershëm e fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke e zëvendësuar ambasadorin e deritanishëm, Avni Spahiun, i cili është dekretuar në një detyrë të re. (LajmeShqip.com)