Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 10:19

Ambasadori francez në Prishtinë Jean Francois Fitou ka deklaruar se Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë dhe partitë politike në veri duhet të ulen dhe ta studiojnë planin e Ahtisaarit për të gjetur rrugëdaljen nga kriza në veri.

Fitou ka deklaruar se e vetmja mundësi për dalje nga kriza në Veriun e Kosovës është dialogu i të gjitha partive politike në Veri, Qeverive të Kosovës e Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare. “Para se të propozohet ndonjë ide, të gjitha palët do të duhej të ulen dhe të studiojnë mirë Planin e Ahtisaarit dhe të shohin se çka mund të nxirret nga ai… Në vend që të merremi me atë që është reale dhe e mundshme, ne humbim kohë me disa ide pa lidhje”, ka thënë Fitou për agjencinë serbe të lajmeve, “Fonet”. Duke folur për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Fitou vlerëson se rezultatet tashmë kanë filluar, vetëm se marrëveshjet duhen zbatuar. Diplomati francez ka thënë se nuk është aq mirë sa është pritur, por nuk është keq. “Dialogu ndikon mjaft në pranimin e kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE, por të gjitha palët do të duhej të ndikojnë që dialogu të ketë sukses”, vlerëson ai, duke shtuar se ka mjaft miq në Veri të Kosovës dhe se bashkëndien me ta, sepse vuajnë për shkak të situatës aktuale atje.

Fitou ka shprehur mendimin se “do të ishte më së miri që Qeveria e Kosovës të bisedojë me këta njerëz në Veri”. Megjithatë, sipas tij, Serbia do të duhej më së shumti nga të gjithë të kontribuojë në këtë drejtim. Ai konsideron se rruga e Kosovës drejt BE’së “është e njëjtë sikundër edhe për Serbinë” dhe sqaron se “të dyja vendet marrin pjesë në jetën e të njëjtit rajon”. Ai ka thënë se nuk do të ishte mirë të iniciohet çështja e ndarjes, për shkak se “shumica e serbëve jeton në jug të lumit Ibër”, ndërsa mendon se “të gjithë serbët duhet të bashkohen në mënyrë që të nxjerrin sa më shumë nga Plani i Ahtisaarit, i cili ofron mundësi për të mirën e tyre”.