Lajme Shqip Wednesday, 11 July 2012 11:21

Prishtinë (PLOTESUAR 11 korrik, 14:30) – Veton Surroi ka dhënë një version ndryshe nga ai i ambasadorit Christopher Dell lidhur me pohimet e këtij të fundit rreth kandidatëve për president, duke shprehur çudinë si një diplomat amerikan bëhet krijues dhe shpërndarës i thashethemeve, raporton KTV. Ambasadori Dell, në një intervistë për gazetën “Kosova Sot” ka pohuar se Surroi ishte imponuar si kandidat për president të vendit.

“Kam shkuar në rezidencën amerikane me ftesë të ambasadorit Dell për darkë, në të cilën ai ka insistuar në prani të Hashim Thaçit që do të ishte mirë për vendin që unë të bëhem president pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut. Me arsyetimin se kjo do të ishte mirë për të tejkaluar krizën institucionale dhe për ta prezantuar Kosovën më mirë në botë, për shkak të perceptimit negativ që ka z. Thaçi në botë”, ka sqaruar Surroi. “Nuk ka pasur kurrfarë zvarritje, as lutje nga ana ime, po ka qenë ide e ambasadorit Dell dhe pjesë e bisedës së tij. (Kurse) Pacollit asnjëherë nuk i jam kërcënuar, por në një takim i kam thënë se do t’i bënte dëm Kosovës zgjedhja e tij për president”.

Po ashtu, Surroi ka riqartësuar se prej vitit 2004 nuk është botues i ‘Kohës Ditore’ dhe se nuk ka as lidhje institucionale me Kompaninë ‘Koha’. “Çfarëdo përmendje të gjoja ngritjeve të mia politike në kontekst të asaj që e raportojnë ‘Koha Ditore’ dhe KTV-ja është plotësisht e pabazë”, ka nënvizuar ai. (LajmeShqip.com)

*********************************************

Prishtinë – Ambasadori amerikan në largim Kristofer Dell ka kritikuar sot ashpër gazetën Koha ditore me theks të veçantë pronarin e saj Veton Surroi. Në një intervistë që është botuar sot në të përditshmen Kosova sot, Dell tregon se Surroi ka pasur ambicie për tu bër president i vendit.

“Më duhet t’ju them se një veprim që më ka bërë të ndihem i ndotur duke qenë dëshmitar i tij ka qenë kur e kam shikuar Veton Surroin të zvarritet para kryeministrit duke e lutur të bëhet president. Kjo ka ndodhur në shtëpinë time, në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit”, kështu ka deklaruar ambasadori amerikan Kristofer Dell në intervistën që është botuar sot në të përditshmen Kosova Sot. 

Në intervistën e përmendur  ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka bërë publike detajet për lojërat politike që u zhvilluan në garë për postin e presidentit në vitin 2010 dhe 2011. Ai thotë se plani i AAK-së ishte që Ramush Haradinaj të vinte në postin e kryeministrit, kurse Hashim Thaçi të bëhej president. Por, njëkohësisht ishte Veton Surroi ai që i kishte shprehur hapur ambicien e tij për kë post duke iu lutur Hashim Thaçit që ta bënte presidentit.

Ambasadori Christopher Dell mendon se presidentja Atifete Jahjaga e ka bërë një punë të shkëlqyeshme në kthimin e rolit të Presidencës në atë që është paraparë sipas Kushtetutës. Ai thotë se Jahjaga e ka korrigjuar baraspeshën ndërmjet institucioneve, duke i dhënë fund rivalitetit institucional që ka ekzistuar më herët. (LajmeShqip.com)