Lajme Shqip Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 18:00

Prishtinë – Duket se ambasadori amerikan në Prishtinë përgatitet për largim nga Kosova. Bazuar në një mesazh postuar në rrjetin social Facebook, Christopher Dell pret të emërohet në postin e zëvendësit të komandantit në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Afrikë, që Shtabin e ka në Stuttgart të Gjermanisë.

“Duket se më në fund do të më bëhet të jetoj në Gjermani për postimin tim të ardhshëm, si zëvendëskomandant i Komandës për Afrikë në Stuttgart. Është e vetmja komandë e unifikuar ushtarake e SHBA-së me një zëvendës civil”, ka shkruar Dell në Facebook.

Sipas mesazhit që Dell e ka ndarë me miqtë e tij në rrjetin social, në Gjermani tashmë ka siguruar vend pune edhe për bashkëshorten e tij, Teodora Dell. Megjithatë, Dell duket se mendon edhe përtej postit të ri diplomatik.

“Po ashtu vazhdoj të kërkoj një vend pune në sektorin privat”, shkruan ai në Facebook.

Koha Ditore në numrin e sotëm të saj ka shkruar se ka kontaktuar me zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së për të marrë komente në lidhje me mundësinë e largimit të ambasadorit Dell, por asnjë koment nuk ka qenë e mundur të merret.

Komanda për Afrikë e Ushtrisë së SHBA-së është një nga nëntë komandat e tilla të unifikuara luftarake të Forcave të Armatosura të SHBA-së, dhe Shtabin e kanë në kazermën “Kelley” në Stuttgart. Kjo komandë është përgjegjëse për operacione dhe marrëdhënie ushtarake me 53 vende të Afrikës, një rajon që mbulon të gjithë kontinentin afrikan përveç Egjiptit.

Komandanti i tanishëm i kësaj Komande është gjenerali Carter F. Ham dhe ai i raporton sekretarit amerikan të Mbrojtjes, ndërsa ka dy zëvendës- njëri për operacione ushtarake dhe tjetri për aktivitete civile-ushtarake.

Zëvendësi i parë është oficer nga forcat amerikane, ndërsa i dyti është emërim civil.

Momentalisht postin e zëvendëskomandantit për operacione ushtarake e mban viceadmirali Charles Leidig, ndërsa postin e zëvendëskomandantit civil në Komandën për Afrikë e mban ambasadori J. Anthony Holmes. (LajmeShqip.com)