Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 12:24

Prishtinë-Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se shteti i tij ka qenë i vetëm kundër përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale me fusnotë, e cila do t’i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai thotë se në diskutimet e mëhershme që janë bërë në BE, Britania e Madhe ka qenë për heqjen e referencës së Kosovës nën Rezolutën 1244 nga dokumentet e BE-së.

“Ne gjithmonë i kemi parë këto referenca në dokumentet e BE-së, si heqje e statusit dhe sovranitetit të Kosovës, pasi kjo nënkupton që statusi i Kosovës është një çështje e hapur ende”, thotë ai.

Mirëpo, sipas ambasadorit Cliff, marrëveshja e arritur për fusnotën “nuk thotë më se Kosova është nën rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244, por në përputhje me 1244 që është pra një formulë shumë e rëndë dhe ajo që është shumë e rëndësishme, formula është e balancuar nga referenca në mendimin këshillëdhënës të GJND-ë rreth deklaratës së pavarësisë së Kosovës”.

Në një intervistë të dhënë për “Zëri ”, ambasadori Cliff mendon se Kosova me këtë marrëveshje ka bërë një veprim strategjik.