Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 20:56

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Ëollfarth, zhvilluan pasditen e së premtes, një takim me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, në selinë e kësaj partie.

Pas takimit i cili zgjati për rreth 2 orë, ambasadori i SHBA-së, Arvizu, kujtoi për mediat qëndrimin e Ndihmëssekretarit Amerikan të Shtetit, Filip Gordon, i cili u ka bërë thirrje udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri të respektojnë procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë.

“Qytetarët duhet të rrinë sa më qetë që të jetë e mundur”, tha Arvizu, në një prononcim të shkurtër, pas takimit me kreun e PS, Edi Rama.

Nëpërmjet një deklarate të publikuar nga Zëri i Amerikës, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Filip Gordon, thekson se “dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë, ose nënkupton akte dhune nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë”.

Gordon thekson rëndësinë që “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë funksionin e tij, në mënyrë konsistente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, për të krijuar besim tek popullata dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni”.