Lajme Shqip Thursday, 06 September 2012 15:09

Prishtinë – Ambasadorët e huaj të akredituar në Prishtinë kanë shprehur qëndrimin e vendeve të tyre kundër bisedimeve për veriu e Kosovës.

Ambasadori gjerman, Ernst Reichel, në takimin e lamtumirës me kryeministrin Hashim Thaçi ka deklaruar se veriu është një çështje e brendshme e Kosovës.

Majde, ai ka theksuar se i takon Serbisë që të shpërbëjë strukturat e saj paralele që janë aktive në këtë zonë.

“Kancelarja Angela Merkel para pothuajse një viti në Beograd, në mënyrë të hapur ngriti çështjen e shpërbërjes së strukturave paralele të Serbisë në Kosovë. Politika gjermane që nga ajo kohë ka bërë kërkesë kryesore të vetën normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Tani ka ardhur shansi për të normalizuar situatën në Kosovë”, ka thënë Reichel.

Ai ka vlerësuar se nga normalizimi i situatës në rajon përfiton në veçanti Kosova dhe ka shtuar se, nëse Serbia dëshiron vërtet t’i afrohet BE-së, atëherë ajo duhet të jetë e gatshme të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore me shtetin e ri.

“Të mos e shfrytëzosh mundësinë për të arritur normalizimin e situatës është një marrëzi politike. As Gjermania dhe as Shtetet e Bashkuara nuk do të pranonin një rezultat të bisedimeve që nuk do përmirësonte situatën e Kosovës së pavarur”, ka thënë Reichel.

Në të njëjtën linjë, në një intervistë për të përditshmen “Lajm”, është shprehur edhe ambasadori francez Jean François Fitou, i cili ka thënë se veriu nuk duhet të jetë pjesë e bisedimeve.

“Ka miliona çështje për të cilat dy vendet mund të diskutojnë, por jo për veriun, pasi kjo është një çështje e brendshme që i takon Kosovës”, ka deklaruar Fitou.

Ai është shprehur se, për bisedimet politike nuk duhet të vendoset asnjë kusht, madje as zbatimi i marrëveshjeve të arritura në fazat e mëparshme të dialogut. (LajmeShqip.com)