Lajme Shqip Tuesday, 04 February 2014 14:03

Tre kandidatët e rinj për ambasadorë po zhvillojnë sot një seancë dëgjimore në  Komisionin e Politikës së Jashtme. Anëtarët e grupit demokrati i kanë kundërshtuar kandidaturat që në nisje të mbledhjes. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi se 6 prej 11 ambasadorëve të rinj janë emëruar jashtë sistemit. Sipas tij, sistemi ka rënë, pasi 6 ambasadorët janë kandidatura politike.

Por nga ana tjetër ka reaguar kryetarja e komisionit Arta Dade, e cila i ka quajtur të pavërteta deklaratat e Bumçit. Sipas saj, “nuk është e vërtetë që kandidaturat janë jashtë sistemit. Ata kanë lidhje me marrëdhëniet diplomatike”, tha ajo. Dade shtoi më tej se, “ligji lejon që 20% të jenë kandidatura jashtë sistemit”.

Ndërsa, deputeti i PD-së, Kastriot Islami, u shpreh kundër kandidaturës së Ardian Ndrecës për në Vatikan. “E ka quajtur presidentin si ‘ulok moral’”,- tha Islami. Ndërkohë, Ndreca ka reaguar duke thënë se, ka qenë njeri privat, i lirë dhe kritik me presidentit për shkak të këshilltarit, Leka Zogu. 

Në komision do të përgjigjen sot kandidati për ambasador në Kosovë, Qemal Minxhozi, në Maqedoni Petrit Bushati dhe në Selinë e Shenjtë të Vatikanit, Ardian Ndreca. 

Emrat e propozuar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe të miratuar nga kryeministri Edi Rama, pritet t’i kalojnë Presidentit të Republikës për të marrë miratimin final me dekret.