Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 20:11

Prishtinë-Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur së fundi për menaxhimin e integruar të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një deklaratë për mediat thuhet se ambasada amerikane beson se kjo marrëveshje mbron interesat më të mira të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.

“Siç ka qenë rasti edhe me marrëveshjet e tjera të arritura brenda kornizës së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, qeveria e Kosovës ka treguar maturi dhe fleksibilitet në arritjen e këtij pakti me Serbinë. Marrëveshja mbron dhe avancon interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.  

“Marrëveshja mbështetet në mirëkuptimin e shtatorit 2011 ndërmjet Kosovës dhe BE-së e KFOR-it, që ka vendosur kontrollin doganor dhe kufitar në pikat veriore kufitare të Kosovës dhe ka garantuar që Kosova do të ushtrojë kontroll mbi të gjitha kalimet e saj kufitare. Marrëveshja po ashtu siguron që zyrtarët doganorë dhe kufitarë të Kosovës do të qëndrojnë në portat veriore për të ushtruar mandatin e tyre sipas ligjeve të Kosovës”, vijon më tej deklarata.

Gjithashtu, sipas ambasadës amerikane, ka ardhur koha që edhe bllokadat e tjera ilegale të rrugëve në pjesën veriore të Kosovës të hiqen tërësisht.

“Ato bllokada po pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in për të ushtruar përgjegjësitë e tyre anekënd Kosovës në pajtim me mandatet e tyre përkatëse. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se duhet të ketë liri të lëvizjes pa kusht kudo nëpër Kosovë për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”.-përfundon deklarata e ambasadës amerikane në Kosovë. (LajmeShqip.com)