Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 15:30

Tiranë – “Ambasada e Republikës së Kosovës në ceremonitë e organizuara prej saj ka ftuar të marrin pjesë të gjithë autoritetet më të larta të shtetit shqiptar”, ka sqaruar sot Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, me anë të një njoftimi për shtyp, duke marrë shkas nga një artikull në të përditshmen “Shekulli”, datë 18 shkurt 2012, me titull, “Kosova, Topi dhe Rama nuk marrin ftesë nga MPJ”.

Ambasada sqaron se, ceremonitë e organizuara me rastin e 4-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, përurimi i selisë së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë dhe pritja me rastin e 4 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, janë organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, ndërsa ceremonia e përurimit të rrugës “Ibrahim Rugova”, ka qenë kompetencë e Bashkisë së Tiranës.

Sqarojmë se nuk është në kompetencë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë të bëjë ftesa për ceremonitë apo veprimtaritë që organizojnë institucionet e shtetit shqiptar, të nivelit qëndror apo lokal. Sqarojmë gjithashtu se në veprimtaritë e organizuara nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, Protokolli shqiptar nuk ka pasur dhe nuk ka akses, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës.