Lajme Shqip Thursday, 19 April 2012 08:05

Tiranë – Këshilli i Ministrave miratoi sot autorizimin e “AMA RECYCLING”, sh.p.k. për importin e mbetjeve metalike të aluminit dhe të bakrit, për qëllime riciklimi.

Vendimi ka përcaktuar kodet e mbetjeve që importohen, si dhe sasinë e tyre, që është 7000 tonë. Mbetjet importohen nga Italia, Mali i Zi dhe Kosova. Transporti bëhet në rrugë tokësore, duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, si dhe kërkesat e kreut II, të vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave dhe të procedurave për importimin e mbetjeve, për përpunimin dhe riciklimin”.

Ambalazhimi i tyre do të bëhet në paleta, i presuar ose në thasë plastikë, konform aneksit III, të vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”.
Ndërkohë, për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, sipas vendimit,”AMA RECYCLING”, sh.p.k.-ja, dorëzon, të plotësuar, në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, sipas formatit të dhënë në aneksin IV, të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.825/2010, dhe  monitorimi i tyre do të kryhet nga strukturat përkatëse të doganave.

Çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me raport-analizë, të kryer për aspektin e radioaktivitetit. Periudha e lejimit të importit të mbetjeve metalike të aluminit dhe të bakrit nga “AMA RECYCLING”, sh.p.k.-ja, do jetë për një periudhë kohore njëvjeçare, që do të fillojë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Ndërkohë, vendimi përcakton se janë Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, që merr masat e nevojshme për kontrollin e procesit  të riciklimit të mbetjeve metalike të aluminit dhe të bakrit, nga  “AMA RECYCLING”, sh.p.k.-ja, pas miratimit të këtij vendimi, për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të njeriut. (LajmeShqip.com)