Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 13:09

Tiranë – Zgjedhjet vendore të 8 majit plotësuan standardet evropiane. Ky ishte konkluzioni i monitorimit të zgjedhjeve lokale nga 1286 vëzhgues në qendrat e votimit dhe 65 vëzhgues në Vendet e Numërimit të Votave, të ALQU-së (Unioni Shqiptar për Cilësinë e Jetës), një bashkim vullnetar i individëve dhe OJF-ve për vëzhgimin e procesit të votimit, numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve.

Sipas presidentit të ALQU-së, Edmond Stojku, “bazuar në fakte dhe analiza vlerësohet se edhe në zgjedhjet e 8 majit 2011 standardet në lidhje me zgjedhjet e lira dhe demokratike të KE-së dhe të BE-së, ato të sanksionuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në dokumentin e Kopenhagenit të vitit 1990, parimet që përmban Kodi i Praktikës së Zgjedhjeve, i miratuar në vitin 2002 nga Komisioni i Venecias, u plotësuan”.

ALQU vlerëson si një hap pozitiv të procesit numërimin e çdo vote të qytetarëve, bazuar kjo në projektvendimin e KQZ-së, sipas të cilit, fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar do të konsideroheshin të vlefshme dhe do të numëroheshin prej vetë KQZ-së.

Duke i konsideruar këto zgjedhje si një zhvillim pozitiv në kuadër të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për realizimin e standardeve në proceset zgjedhore, ALQU thekson se “këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë të tensionuar politike, ku një nivel i lartë mosbesimi shoqëroi procesin e numërimit të votave, çka çoi në debate, vonesa dhe në disa raste në bllokimin e VNV-ve”.

Sipas Stojkut, pas këtyre zgjedhjeve arrihet në konkluzionin se “Kodi zgjedhor kërkon ndryshime dhe amendime reale. Partitë politike duhet të rikthejnë vëmendjen drejt bashkëpunimit dhe iniciativave reformuese të kodit zgjedhor, drejt alternativave civile për qytetarët dhe jo drejt sulmeve personale”.

“Pavarësisht një atmosfere polarizimi të lartë dhe mungese besimi ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës, këto zgjedhje ishin më të mirat të realizuara deri tani në Shqipëri”, tha presidenti i ALQU-së, Edmond Stojku.