Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 09:24

Dy dëshmitarë në rastin “Mekaj” kanë dhënë deklarata në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Kjo e ka shtyrë prokuroren Drita Hajdari të kërkojë më tepër kohë për hetimet ndaj kryetarit të Apelit, të cilin e ngarkon me pretendimet se ka keqpërdorur pozitën në dy raste, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë kërkesë të mërkurën ia ka aprovuar Gjykata Themelore në Prishtinë, duke caktuar edhe dy muaj të tjerë arrest shtëpiak ndaj Salih Mekajt dhe Vlora Goranit.

Gazeta ka mësuar se kërkesa e prokurores ka ardhur pasi që babai i Mentor Seferajt – Aliu, ka mohuar t’i ketë dhënë Vlora Goranit 20 mijë euro si ryshfet për kryetarin e Apelit, në mënyrë që t’ia lirojë djalin nga burgu.

Vlora Gorani, e cila dyshohet për dhënie ryshfeti, pati deklaruar se Aliu ia kishte dhënë atë shumë parash me kërkesë të Mentor Seferajt, të cilit Prokuroria i referohet si mik intim i saj.

Paratë sipas saj ishin destinuar për Salih Mekajn, me të cilin ajo kishte krijuar po ashtu kontakte intime.