Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 07:06

Tetovë – Situata politike aktuale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare, volumi i implementimit te Marrëveshjes së Ohrit, rrugëtimi i Maqedonisë drejt integrimeve euroatlantike, marrëdhëniet ndëretnike dhe aspekte të tjera të jetës politike në vend ishin temat qe përmbushën agjendën e takimeve, që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në vazhdën e takimeve të rregullta me përfaqësues të akredituar në vend, i zhvilloi ndaras me ambasadorin e Zvicrës, Stefano Lazzarotto dhe atë të Spanjës, Ferdinando de Galainena.

Ambasadori Lazzarotto dhe Ahmeti kanë vlerësuar përvojën e mirë që ka Zvicra për sa i përket diversitetit etnik, kulturor dhe fetar si shembull të mirë edhe për Maqedoninë në drejtim të ngritjes dhe jetësimit të vlerave multietnike.

Ndërkohë, ambasadori spanjoll De Galainena përgëzoi kryetarin Ahmeti për rolin e jashtëzakonshëm në ngritjen e vlerave dhe kontributin  e pakontestueshëm në përforcimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike, duke nënvizuar se investimi në këtë drejtim është jetik për të ardhmen e Maqedonisë.

Kryetari i BDI-së i ka njoftuar ambasadorët edhe për volumin e implementimit të Marrëveshjes se Ohrit, duke theksuar se nevojitet ende shumë punë për t’u bërë sidomos në frymën e implementimit të kësaj marrëveshje, në drejtim të forcimit të konceptit shoqëri qytetare, duke respektuar identitetet etnike dhe interesat e gjithë qytetarëve në vend.

Ahmeti i siguroi ata se angazhimi drejt integrimeve euro-atlantike ngelet ndër prioritetet e veprimit të BDI-së, sepse integrimi në këto struktura nënkupton siguri për vetë  Maqedoninë, qytetarët e saj dhe rajonin nga se interesat kombëtare dhe shtetërore do të ruhen më mirë duke qenë pjesë e  NATO-s dhe BE. Ndryshe, Ahmeti ka njoftuar mysafirët se bojkoti i Parlamentit dhe  kërkesat e opozitës për zgjedhje te parakohshme shkaktuan situata, “kanë imponuar nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare”. (Lajmeshqip.com)