Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 19:21

Shkup – Xhelal Bajrami është kandidati më serioz për ministër të ri të Ekonomisë, pasi që në kryesinë qendrore të BDI-së është vendosur që kryesuesi i deritanishëm me këtë dikaster, të bëjë rotacion në Mbrojtje, mëson nga burime jozyrtare portali Lajmeshqip.com.

Edhe pse ish-ministri për Punë dhe Politikë Sociale, Xhelal Bajrami, me profesion është jurist, ai shikohet favorit, shkaku i, siç thuhet, “afërsisë që ka me kreun e Likovës, Sadulla Duraku”. Kësaj i shtohet edhe ajo se në listën për deputet ai ishte në vendin e 19 në zonën zgjedhore 2, një vend para Xhevat Buçit, me premtimin se që të dy do hyjnë në pushtetin ekzekutiv.

Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), sipas burimeve të portalit LajmeShqip.com, ka vendosur edhe për kandidaturat e ministrave të tjerë në Qeverinë me VMRO-DPMNE. Me euro-integrimet do të udhëheqë Teuta Arifi, me Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, me Ministrinë Ekologjisë Abdilaqim Ademi, me Ministrinë e Pushtetit Lokal Nevzat Bejta, derisa me Ministrinë e Drejtësisë, kryetari aktual i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti.

Gjithashtu, krerët e kësaj partie janë informuar dhe kanë miratuar marrëveshjen që lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti, e ka arritur me mandatarin për formimin e qeverisë, Nikolla Gruevski.

Deri në fund të javës, mandatari Gruevski do të dorëzojë përbërjen e re qeveritare në arlamenti. Nga eshalonët tjera, BDI do udhëheq me Fondin për rrugë, Policinë pyjore dhe drejtor të dytë në Sigurimin shëndetësor, derisa postet e drejtorëve në MPB, DHP dhe Doganë, mbeten në DPMNE.

Por, siç kanë bërë të ditur burime të Lajmeshqip.com, një ditë më parë nuk ka kaluar kërkesa e BDI- për pensione të luftëtarëve të UÇK-së, ndërsa rreth rasteve të Hagës, sipas rekomandimeve të Gjykatës së Hagës dhe ndërkombëtarëve janë marrë vesh për autenticitetin e tyre. Gjuha nuk do jetë si e dytë zyrtare sikur ka kërkuar BDI. Kryesuesi i Parlamentit nuk do të mund të flasë në gjuhën shqipe, ministrat shqiptar do të mund të përgjigjen në gjuhën e tyre nëse deputetët u drejtohen në gjuhën shqipe. Nuk ka kaluar as kërkesa e BDI-së që gjykatësit në komunikimin zyrtar të shfrytëzojnë gjuhën shqipe.

Madje, BDI ka lëshuar pe edhe në parimin e Badenterit në gjykata. Partnerët e koalicionit kanë arritur marrëveshje për precizimin e ligjit për përdorimin e flamujve, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. (LajmeShqip.com)