Lajme Shqip Saturday, 07 April 2012 15:31

Tiranë- Partitë aleate të Partisë Socialiste akuzuan të shtunën kryesocialistin Edi Rama për prishje të marrëveshjes zgjedhore.

Në një dalje së bashku para mediave kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, kryetari i PDS-së, Paskal Milo, kreu i PDK-së, Nard Ndoka dhe ai i PSV’91, Petro Koçi, deklaruan se fitorja e PS-së në zgjedhjet e 2013-s është e dyshimtë, për sa kohë Rama po bën të njëjtat gabime, si në zgjedhjet parlamentare të 2009-s.

Sipas kryetarit të PSD-së, Gjinushi, reforma zgjedhore po degradon dhe kjo është përgjegjësi e plotë e PS-së. “Reforma zgjedhore po degradon. PS ka përgjegjësi për të garantuar reformë zgjedhore reale. E majta ndodhet në opozitë për shkak të qëndrimit të lidershipit dhe qëndrimit që mban me aleatët. Po të vazhdohet në këtë rrugë do të kemi rezultate si në 2009-n”, tha Gjinushi.

Ndërkohë, që kreu i PDS-së, Paskal Milo, akuzoi se po bëhen të njëjtat gabime që sollën disfatën e 2009-ës, nga e cila për fat të keq, sipas tij, nuk janë nxjerrë mesime.”PS po bën të njëjtat gabime që e çuan në disfatë dhe nëse ecet kështu do t’i kushtojë 2013-ta.Treni i PS-së jo vetëm nuk po zgjatet, por ka mundësi të shkurtohet. Nuk kërkojmë mandate si lëmoshë, por formulë bashkëpunimi si aleatë”, tha Milo.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe kryetari i PSV ’91, Petro Koçi, i cili paralajmëroi se kodi aktual krijon krizë dhe kjo mund ta çojë PS-në në udhë pa krye. “Kodi zgjedhor krijon krizë, ndaj PS duhet të ketë kujdes nga zërat që e çojnë në udhë pa krye.Duhet të realizohet një frymë bashkëpunuese, PS duhet t`i shtojë aleatët e jo t`i pakësojë”, tha Koçi.

Ndërsa kreu PDK-së, Nard Ndoka, ka qenë më i prerë në qëndrime, duke mos përjashtuar një koalicion të mundshëm me të djathtën. “PS po hap hendek të madh në bashkëpunimin me aleatët, me qëndrimet e saj refraktare. PS e prishi marrëveshjen me aleatët për reformën zgjedhore, ndaj ka hapësira për koalicion edhe jashtë. Nuk e përjashtojmë një koalicion me PD-në”, u shpreh Ndoka. (LajmeShqip.com)