Lajme Shqip Saturday, 13 July 2013 15:26

Tiranë -Aleanca Kuq e Zi, që në këto zgjedhje nuk arriti të marrë asnjë deputet, ka shprehur shqetësim për faktin se tre javë pas zgjedhjeve nuk ka dalë ende rezultati përfundimtar.
Sekretari Organizativ i AK, Redi Ramaj tregoi disa nga shkeljet e bëra në këto zgjedhje.
“1. Mosakreditimin e vëzhguesve të Aleancës Kuq e Zi në shumë qendra votimi dhe në disa Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.
2. Evidentimi i rasteve të përsëritura të votimit familjar dhe të votimit me dokumente të parregullt identifikimi.
3. Prezenca e vazhdueshme e funksionarëve të pushteti vendor dhe qendror afër qendrave të votimit dhe brenda ambienteve të KZAZ-ve, duke frikësuar votuesit në kundërshtim të ligjit.
4. Shkelja e hapur e Kodit Zgjedhor duke mos lejuar vëzhguesit e AK gjatë të gjithë procesit të numërimit të votave.
5. Diference e thellë e numrit të votave të Aleancës Kuq e Zi të pasqyruara në procesverbal me numrin e votave të gjendura në kutitë e votimit.
6. Mosdhënia e procesverbaleve vëzhguesve të Aleancës Kuq e Zi.
7. Mospranimi i vërejtjeve te vëzhguesve të Aleancës Kuq e Zi nga Komisionerët e Zonave të Administrimit Zgjedhor,” tha Ramaj.
Për këtë arsye, zyrtari i AK tha se duhet hapur kutitë 18 KZAZ-të e qarkut Tiranë, për qarkun Vlorë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Lezhë dhe Kukës.
“Aleanca Kuq e Zi shpreh besimin se një pushtet i ri dhe i dalë nga vota popullore mund të ketë themele të forta vetëm nëse legjitimohet duke i bërë transparente publikut mënyrën se si votuan shqiptarët. Sot mbarë opinioni publik është i mbarsur me krizën e besimit se vota jo vetëm shitet dhe blihet, por dhe që ajo nuk është numëruar. Për këto arsye Aleanca Kuq e Zi kërkon mbështetje për hapjen e kutive nga ata, të cilët për 4 vjet protestuan duke kërkuar votat e opozitës shqiptare,” tha Ramaj.