Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 18:22

Durrës – Flamuri kombëtar është vendosur sot paradite në shkallaret e amfiteatrit antik të Durrësit, ndërsa dhjetra qytetarë të pranishëm kanë firmosur kundër vetëdeklarimit të kombësisë dhe fesë gjatë proçesit të ardhshëm të regjistrimit të popullsisë në vendin tonë.

Drejtuesi i “Aleancës kuq e zi”, Kreshnik Spahiu, tha se “shqetësimi kryesor i kësaj lëvizjeje është rreziku i cënimit të simboleve kombëtare, prandaj zgjodhëm mjediset e amfiteatrit të lashtë, në një qytet si Durrësi, i cili mbart 3000 vjet histori shqiptare”.

“3000 vjet histori nuk mund të këmbehen me 300 euro”, shtoi më pas Kreshnik Spahiu, i cili i ftoi qytetarët të solidarizohen me këtë lëvizje.

Sipas historianit Pëllumb Xhufi, “Aleanca kuq e zi” po bëhet një shkollë riedukimi për politikën shqiptare në përgjithësi, ndërsa vetë lëvizja vjen në momentin e duhur.

“Monumenti më i madh i kombit tonë është fjala “Unë jam shqiptar”, -tha në përshëndetjen e tij poeti Agim Doçi, ndërsa takimi u mbyll me vargjet e poetit kombëtar Naim Frashëri, që u recituan nga aktori i njohur Mirush Kabashi.

“Aleanca kuq e zi” gjatë javëve të fundit ka zhvilluar takime në disa qytete të vendit tonë.