Lajme Shqip Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 13:45

Prishtinë – Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka folur për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës. Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “politikës qeveritare iu deshën më shumë se 12 vjet që ta urdhërojë policinë të shkojë në veri dhe më pak se 12 orë që ta urdhërojë kthimin e saj prej andej”.

“Kryeministri Thaçi nuk ishte as serioz, e as i sinqertë për ndërmarrjen në veri. Nuk ishte serioz sepse ai nuk pati një plan me shumë hapa, por vetëm një hap pa plan”, ka thënë Kurti për “Radion Evropa e Lirë”, për të shtuar se kryeministri Thaçi po fiton kohë për pushtetin e tij dhe ne po humbim hapësirë për shtetin tonë.

Kurti thotë se kryeministri e “ka gënjyer opinionin publik për gjendjen në terren”. “Thoshte që doganat janë nën kontroll, që doganierët e Kosovës po veprojnë në veri, pa qenë fare kështu. Pasi që ishte zmbrapsur, thoshte që nuk ka kthim prapa”.

Në pyetjen se çfarë nuk po bëjnë autoritetet kosovare që sa më parë të fusin nën kontroll veriun e Kosovës, Kurti thotë se faktorët ndërkombëtarë na mbështesin atëherë kur ne të ecim e lëvizim”.

“Nëse ne ngecim, atëherë faktorët ndërkombëtarë na shtypin nga lart”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës në vend që të vazhdojë aksionin policor me hapa të tjerë, ajo u zmbraps dhe “filloi të shtirej se u faktorizua këtu në Prishtinë”.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se duhet të ndërpriten bisedimet me Serbinë, sepse, siç ka thënë ai, nga to fiton Serbia.

“Në vend të kësaj, duhet që Qeveria e Kosovës t’i aktivizojë të gjitha resurset, instrumentet, mekanizmat shtetërorë, që ta shtrijë sovranitetin, integritetin e kufijve dhe integritetin territorial në veri të Kosovës”.